Ballkani e Gjilani kanë ndarë pikët në ndeshjen e xhiros së 11-të në Superligën e Kosovës, pasi që mbyllën ndeshjen me barazim me rezultat 3:3.
Epilogu final i takimit u vulos nga Armend Thaqi, i cili arriti ta barazojë rezultatin pak minuta para përfundimit të takimit.
Dy penallti për dhjetë minuta, njëra u konkretizua nga Bernard Karrica që i dha epërsinë Ballkanit për 3-2, kurse tjetra u humb nga Armend Thaqi, të cilën ia priti Enea Koliqi. Por topi sërish u rikthye tek gjilanasit, dhe prekja e fundit para se të futej në rrjeten e suharekasëve, u bë pikërisht nga ishi i tyre.
Emërllahu e zhblloki rezultatin pasi shënoi një supergol në minutën e pestë të ndeshjes, por nuk vonoi shumë dhe rezultati u barazua.
Armend Thaqi shënoi në minutën e 15-të për 1:1, ndërkaq Gjilani arriti të shënoj edhe një gol me Bashën, duke shkuar në pushim mes pjesëve me epërsinë prej një goli.
Riberio shënoi pas 1 ore lojë duke barazuar rezultatin në 2:2, ndërkaq Ballkani kaloi në epërsi në minutën e 82-të me Karricën.
Me këtë barazim Ballkani ka mbetur përkohësisht në pozitën e parë në tabelë me 19 pikë, e ndjekur pas nga Malisheva me 18 sosh.
Në këtë xhiro Malisheva do të përballet me Ferizajn dhe ka mundësinë e artë për të dalë në pozitën e parë në tabelë.
