Ish kryenegociatorja e dialogut, Edita Tahiri, njëherësh ish zëvendëskryeministre, ka folur për zhvillimet politike në vend, Asociacionin, urën e Ibrit, marrëdhëniet me ndërkombëtarët, masat e BE-së, e të tjera.
Lidhur me Asociacionin, që është bërë së fundi sërish çështje aktuale, ajo thotë se Kurti ka ardhur në pushtet duke e kundërshtuar, ndërsa që tani masat nuk po hiqen pa u bërë Asociacioni.
Por, ajo thotë se derisa Kurti është kryeministër, duhet t’i plotësojë obligimet shtetërore.
“Në fakt Asociacioni është një prej sfidave kryesore për Kurtin, sepse ai ka ardhur në pushtet duke e kundërshtuar atë dhe tani i ka ardhur koha që ta zbatojë, që drafti të shkojë në Kushtetuese, siç e kërkoi edhe presidentja e Komisionit Evropian, që nuk e tha në mënyrë eksplicite por tha që për t’i hequr sanksionet Kosova ka shumë punë për të bërë dhe dihej që fliste për Asociacioni dhe ajo pasi shkoi, Kosova është që 1 vit nën sanksione dhe po vazhdon, dhe sapo ajo shkoi filluan me deklarata Kurti e Konjufca, filluan ta lëvdojnë. Dikur vet Glauku kishte thënë se ishte i mirë, pastaj jo nuk është i mirë, pastaj prapë janë kthyer se është i mirë. Me këto deklarata janë të vetëdijshëm se duhet të zbatohet por nuk duan ta zbatojnë deri pas zgjedhjeve, sepse dihet që do t’i kushtojë me humbje në zgjedhje, por sido që të jetë Kurti është kryeministër, obligimet shtetërore janë sikur kanë qenë edhe për neve”, u shprehë Tahiri.
Sipas saj, Kurti e ka rrëzuar Kosovën në dy gjunjë. Po ashtu, thekson se Kurti duhet të shpjegojë se pse ka ndodhur sulmi në Banjskë nëse atje ka sovranitet dhe pse u ndëshkua Kosova nga BE.
“Duke mos i plotësuar ato, kurti në fakt e rrëzoi Kosovën në dy gjunjë. Me disa fakte, e para Kosova është e izoluar që 1 vit e ndëshkuar, kjo qeveri asnjë njohje s’ka sjellë për 4 vite, pastaj Kurti thotë se ka shtrirë sovranitetin në veri, ndërkohë që fare nuk ka institucione shtetërore në veri, nuk janë gjykatat e Kosovës, Policia e pakompletuar sepse ka vetëm përbërje shqiptare dhe duhet të ketë edhe serbe. Pastaj kemi dhe çështjen që nëse Kurti paska pasur sovranitet në veri, pse ka lejuar krijimin e grupi terrorist në Banjskë dhe të armatoset, kur ti ke sovranitet ti e mbron shtetin dhe nuk lejon të ndodhin, siç ndodhi edhe sulmi. Obligimi i Kurtit është që t’ua shpjegojë qytetarëve se pse edhe ndodhi sulmi në Banjskë, edhe u ndëshkuam dhe sot e kësaj dite kjo mbetet enigmë”, vlerëson Edita Tahiri për Gazeta Blic.
Ajo është e mendimit se nuk e di nëse Kurti do të vijë sërish në qeveri, por thotë se Kosova ka nevojë për një qeveria amerikane, ndërsa që Kurti është antiamerikan.
Sipas saj, duhet të ketë një strategji që Asociacioni të jepet në shkëmbim të hyrjes së Kosovës në NATO.
