Kryetari i LDK-së dhe kandidati për kryeministër i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ka mbajtur tubimin si pjesë e “Turneut të Ndryshimit” edhe në Podujevë.
Ai ka thënë se nga krejt këto tubime po vërehet momentumi i LDK-së, i cili, sipas tij, është i padiskutueshëm.
Këtë momentum e ka parë edhe në Podujevë, të cilën e ka quajtur, zemër të LDK-së.
“Emocion i papërshkrueshëm në Podujevën fisnike, në vet zemrën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku Turneu i Ndryshimit e vazhdoi rrugëtimin drejt ëndrrës së madhe për Kosovën që na bashkon! Faleminderit doktorit, Ekrem Hyseni, kryetarit të degës tonë atje dhe secilit prej jush për gjithë këtë entuziazëm e motivim që na dhanë sonte në Llap”, ka shkruar Abdixhiku.
“Prapa dorështrëngimeve të shumta, buzëqeshjeve plot shpresë, dhe thirrjeve tuaja të njëzëshme shkëlqen dëshira e zjarrtë për ndryshimin e madh që do ta sjellim bashkë. Sepse Podujeva nuk e pret ndryshimin të vijë – ajo don ta udhëheqë atë!”, ka shtuar kryetari i LDK-së.
“Nga Prishtina në Viti, nga Peja në Shtime, e sonte këtu në Podujevë – momentumi i Lidhjes është i pamohueshëm! Është i padiskutueshëm! Sepse këtu ne po qëndrojmë si një, të bashkuar rreth një vizioni unik: atij për Kosovën ku familjet kanë mirëqenie, ku rinia i realizon ëndrrat dhe potencialin e plotë, dhe ku secili komunitet jeton me krenari. Sepse ky turne nuk përbëhet vetëm nga tubime të zakonshme politike – por është tashmë një lëvizje në rritje! Një Lidhje plot shpresë, krenari dhe vendosmëri, e ngjizur nga ëndrrat dhe idealet e qytetarëve tanë të mrekullueshëm që duan dhe meritojnë ndryshim”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
“Podujevë, energjia juaj është zemra e Lidhjes sonë. Bashkë me ju, ne do ta sjellim ndryshimin e madh sepse të ardhmen nuk po e imagjinojmë më – atë po e ndërtojmë në ditë si kjo! Me 9 shkurt, le të bashkohemi edhe një herë si kurrë më parë për Kosovën që duam. Me 9 shkurt – BËHU NDRYSHIMI!”.
