Drejtori i zyrës për propagandë kundër Kosovës, e ashtuquajtur zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të cilin, sipas fjalëve të tij, “Shqipëria e Madhe është boshti i ideologjisë dhe thelbi i programit politik të partisë së tij, është ai që ëndërron territore të pastruara etnikisht”.
Duke reaguar ndaj deklaratës së Kurtit se Serbia dëshiron hakmarrje dhe nuk ka hequr dorë nga projekti i Serbisë së Madhe, Petkoviq ka thënë se “ai po persekuton “popullin serb” në Kosovë dhe se pengesa më e madhe e tij është presidenti serb Aleksandar Vuçiq”, transmeton Paparaci.
“Duke demonstruar çdo ditë orientimin e tij fashist, duke terrorizuar serbët në Kosovë, Kurti persekuton edhe fëmijët, gratë dhe të moshuarit serbë, duke dashur të dëbojë çdo gjë serbe, dhe pengesa më e madhe për politikën e tij antiserbe është presidenti Aleksandar Vuçiq, prandaj e sulmon me obsesion”, ka kryer detyrën e tij Petkoviq për të lavdëruar liderin suprem.
Ai ka shtuar se në të njëjtën kohë, Kurti “promovon pa maskuar Shqipërinë e Madhe dhe përfaqëson një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen në Ballkanin Perëndimor”.
“Ai ndërhyn në proceset zgjedhore të vendeve fqinje, duke gjeneruar krizë pas krize, duke dashur të ndezë sërish fuçinë e barutit në këto hapësira, sepse ai di ta bëjë politikën e tij vetëm përmes konflikteve, ndërsa Beogradi bën politikë paqeje, kompromisi dhe dialogu. Prandaj Kurti po i kryen të gjitha veprimet përshkallëzuese në veri të Kosovës ndaj “popullit serb”, duke injoruar thirrjen e vendeve të BE-së për deeskalim urgjent të situatës. Në vend të kësaj, me terrorin dhe dhunën e tij, ai bëri që pothuajse 20 për qind e serbëve të shpërngulen nga Kosova”, ka përfunduar Petkoviq./Paparaci.com
