Hetuesit e EULEX-it kanë arrestuar të enjten Bashkim Smakajn, ish-shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).
Arrestimi i ish-kryespiunit ka ndodhur mëngjesin e sotëm me urdhër të Prokurorisë së Specializuar në Hagë, raporton portali Reporteri.
Shtëpia e Smakajt ishte bastisur me urdhër të Prokuororisë së Specializuar në tetor të vitit të kaluar.
Aksioni lidhej me dyshimet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij ishin sekuestruar prova të ndryshme, përfshirë dokumente dhe telefona.
