Kandidati i LDK-së për deputet dhe ish-kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka komentuar përurimin e vazhdimit të rrugës hyrëse dhe dalëse Gjilan Bujanoc.
Ai ka thënë se kjo rrugë do të duhej të përfundonte në vitin 2022 teksa ka shtuar se Komuna e Gjilanit e drejtuar nga Alban Hyseni i Vetëvendosjes, ka bllokuar për tre vjet projektet që referohen si “projekte të Lutës”.
“Këta veç marre s’kanë, mund t’i vononi ‘projektet e Lutës’ por kurrë s’mund t’i ndalni”, ka shkruar Haziri në Facebook.
“Eksponentë të qeverisë Kurti, të cilët në formë ‘bedelësh’ e udhëheqin Gjilanin, për faktin se kjo komunë s’ka kryetar, pas tri vitesh paskan përuruar vazhdimin e rrugës hyrëse e dalëse Gjilan-Bujanoc, e cila do të duhej të përfundonte në vitin 2022”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se këtë e dhjetëra projekte kapitale i bllokuan për tri vite sepse u referohen si ‘Projekte të Lutës’. Kjo vonesë më shumë se dy vjeçare u shkaktoi dëmte të mëdha qytetarëve e bizneseve lokale, duke ua pamundësuar operimin e suksesshëm.
“Kjo garniturë e VV-së veç marre s’kanë, por po u vjen fundi, si në nivel lokal, e po ashtu edhe në nivel qendror. Gjilanasit e Anamorava tashmë janë kryengritur kundër qeverisë së VV-së sepse nuk mund t’ua falin keqqeverisjen, korrupsionin masiv e nepotizmin e paparë në punësim”, ka shkruar ai.
“Ju kemi thënë, mund t’i vononi ‘projektet e Lutës’ por kurrë s’mund t’i ndalni këto projekte zhvillimore në qytetin e demokracisë”, ka shkruar Haziri.
