Kryeministri Albin Kurti, nuk është paraqitur për intervistim në Prokurorinë Speciale, ku ka qenë i ftuar të dëshmojë në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, ka thënë se nga Kryeministria janë njoftuar se Kurti është në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet.
“Siç jeni në dijeni, Prokuroria Speciale përmes thirrjes së rregullt e ka ftuar kryeministrin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit për një rast penal të cilin Prokuroria Speciale e ka nën hetim”, ka thënë Kozmaqi.
“Sot, nga kabineti i kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është informuar se kryeministri Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot për intervistim”, ka deklaruar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale.
Kozmaqi ka thënë se Prokuroria Speciale do të përgatitë një ftesë të re për intervistimin e kryeministrit.
Kurti, të hënën ndodhet në një udhëtim zyrtar jashtë vendit në Slloveni. Vizita e kryeministrit në Slloveni ka nisur gjatë vikendit. /Paparaci.com
