Lumir Abdixhiku, kandidat për kryeministër nga LDK ka komentuar gjuhën me tone të larta e të ashpër të kryeministrit Kurti, drejtuar opozitës, dje në një tubim në Mitrovicë.
Ai ka shkruar se sa më të mëdha tubimet e LDK-së “aq më të larta bëhen britmat e piskamat”.
“Kosova, megjithatë, kohë për të humbur në ndarje e përçarje nuk ka. Kësaj marrëzie duhet t’i dalim në ballë të gjithë! Kjo nuk është Kosova jonë. Kjo nuk është sjellja jonë. Kjo nuk është ëndrra jonë”, ka shkruar ai në Facebook.
Tutje Abdixhiku ka shtuar se nuk është për të nxitur “vrer e helm për tjetrin” e as t’i ndajë qytetarët “në tradhtarë apo patriotë, në me të apo me Serbinë”.
“Sot qëndroj para jush t’ju them se nuk ka Kosovë të partive. Nuk ka Kosovë të individëve. Nuk ka Kosovë të epokave. Ka një Kosovë dhe një Kosovë të vetme, ka një ëndërr dhe një ëndërr të vetme, ka një adresë dhe një adresë të vetme, ka një atdhe dhe një atdhe të vetëm”, ka shkruar kreu i LDK-së në Facebook.
