Kosova e izoluar shkaku i politikave të kryeministrit të deritanishëm dhe me marrëdhëniet në nivelin më të ulët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përball krizës ekonomike e rritjes së madhe të çmimeve, sot do të vendosë për të ardhmen e saj.
Politikat e Kurtit kanë çuar në tensione me partnerët ndërkombëtarë, duke rezultuar në sanksione nga Bashkimi Evropian dhe pezullimin e fondeve për projekte të rëndësishme infrastrukturore.
Ai ka shmangur plotësisht mediat teksa ka sulmuar shumë media që kanë qenë kritike të qeverisjes së tij pas shpërthimit të skandaleve të njëpasnjëshëm, përfshirë atë të komunikimeve të shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lilës me kryeterroristin Milan Radoiçiq e deri te keqpërdorimi i më shumë se 37 milionë eurove në KEK gjatë menaxhimit nga Nagip Krasniqi, i afërt me Vetëvendosjen.
Kurti në javët e fundit ka thënë se marrëdhëniet kurrë nuk i ka pasur më mirë me SHBA-në, por këtë e ka përgënjeshtruar emisari i veçantë i presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell, i cili ka insistuar se marrëdhëniet janë në pikën më të ulët.
Fajtor për këtë e ka bërë Albin Kurtin.
Kryeministri i deritanishëm para se të vinte në pushtet kishte premtuar se çmimi i rrymës nuk do të ngrihej, ashtu siç nuk do të ngriheshin edhe çmimet, por gjithçka ka ndryshuar në të keq për qytetarin, të cilit iu ka zbrazur xhepi si pasojë e ngritjes së çmimit të energjisë elektrike e çmimeve të produkteve bazë.
Në këtë kontekst, partitë opozitare kanë intensifikuar fushatat e tyre për të ofruar alternativa të reja për qytetarët.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nën drejtimin e Lumir Abdixhikut, ka prezantuar programin “Rruga e re”, duke u fokusuar në zhvillimin ekonomik, përmirësimin e shërbimeve publike dhe forcimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë. Abdixhiku ka theksuar nevojën për një qeveri që reflekton nevojat dhe aspiratat e të gjithë qytetarëve, pa dallim.
Ka theksuar se veçse ka nisur punën për kthimin e aleates, Amerikës.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e udhëhequr nga kandidati për kryeministër Bedri Hamza, ka bërë fushatë me moton “Kosova mundet më mirë”.
Hamza, ish-ministër i Financave dhe aktualisht kryetar i Mitrovicës ka premtuar zhvillim ekonomik, rritje të pagave dhe pensioneve, si dhe përmirësim të infrastrukturës dhe arsimit.
Një ditë para zgjedhjeve ka thënë se një prej vendimeve të para në rast se fiton zgjedhjet është rimëkëmbja e marrëdhënieve me aleaten kyç, SHBA-në.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, formoi një koalicion me Nismën dhe Listën Konservatore, duke premtuar anëtarësim të drejtpërdrejtë në NATO, rritje të pagave mesatare dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve. Haradinaj ka theksuar rëndësinë e unitetit dhe angazhimit për të ardhmen e vendit.
Këto zgjedhje janë vendimtare për të përcaktuar drejtimin e ardhshëm të Kosovës, veçanërisht në marrëdhëniet e jashtme me SHBA-në dhe aleatët e tjerë dhe menaxhimin e ekonomisë së vendit dhe kthimin në normalitet të çmimeve.
