Komentatori i platformës Artmotion, Andin Lokaj ka thënë se fjalimin kundër kryeministrit Kurti të cilin e mbajti në hyrje të ndeshjes së serisë A italiane ndërmjet Juventusit dhe Interit të dielën, e ka planifikuar një javë më parë.
Lokaj, në një deklarim për portalin Nacionale të hënën, tha se deklarimet kundër Kurtit janë “dhuratë për ditën e Pavarësisë”.
“Dua ta sqaroj opinionin se ajo qe ka ndodhur mbrëmë e kam pasur të planifikuar menjëherë pas zgjedhjeve, por e lash dhuratë për ditën tonë të shenjtë të Pavarësisë”, ka thënë Lokaj.
Lokaj ka thënë se fjalët e tij ishin mesazh kundër autokracisë.
“Shpresoj që edhe kolegët e mi komentator të rajonit ta marrin këtë mesazh seriozisht ngase është mesazh kundër autokracisë”, ka thënë komentatori.
Lokaj, të dielën gjatë komentit të ndeshjes së serisë A italiane Juventus-Inter e ka ofenduar Albin Kurtin me të njëjtin term me të cilin kryeministri i ka fyer liderët opozitarë një javë më parë.
Komenti i së dielës i Andin Lokajt, e hoqi atë nga kabina e komentimit të derbit të serisë A italiane në pushimin mes dy pjesëve të lojës, me platformën Artmotion që paralajmëroi një formimin e një komisioni disiplinor i cili do t’i trajtoi komentet e Lokajt.
