Ai drejtoi ambasadat e SHBA-së në mbarë botën dhe e punën si diplomat, duke sjellë një stil elegant në promovimin e interesave amerikane. Por ai u përplas me Shtëpinë e Bardhë të Obamës.
Frank G. Wisner, një diplomat veteran amerikan, specialist i brendshëm i Uashingtonit dhe i çështjeve të jashtme, i cili e shijoi prestigjin e jetës prej ambasadori po aq sa sharjet prapa shpine, vdiq të hënën në shtëpinë e tij në Mill Neck, Nju Jork, në Long Island.
Djali i tij, David, tha se shkaku ishin ndërlikimet e kancerit të mushkërive.
Gazeta prestigjioze “New York Times” shkruan sot për ngjarjet nëpër të cilat ka kaluar diplomati Wisner, njeriu i cili negocioi statusin e Kosovës, që kulmoi me arritjen e pavarësisë më 2008.
Gjatë dekadave si anëtar i elitës politike në Uashington, Wisner drejtoi ambasadat në Zambi, Egjipt, Filipine dhe Indi, mbajti poste të larta si nën administratën republikane ashtu edhe atë demokratike dhe puna e tij lidhet me nismat që sollën ndryshime në rajone të ndryshme si Afrika e Jugut dhe Ballkani.
Elegant dhe shpesh i shtrenjtë, Wisner solli stilin e tij të veçantë në promovimin e vizionit të Amerikës. Në Kajro, për shembull, ku ai ishte ambasador nga viti 1986 deri në 1991, ftoi një herë një gazetar për t’u bashkuar me të për një mbrëmje diplomacie, derisa ai e kalonte qytetin me një Mercedes-Benz të blinduar të ndjekur nga një makinë e mbrojtjes së afërt, derisa po shkonte në një seri pritjesh zyrtare.
Një herë, Wisner huazoi apartamentin e një miku në Kajro për të zhvilluar bisedime të papublikuara me anëtarët në ekzil të krahut të armatosur, të mbështetur nga sovjetikët, të Kongresit Kombëtar Afrikan të Nelson Mandelës, në një kohë kur kontakti zyrtar me figura të tilla ishte i pazakontë.
Wisner ishte ambasadori amerikan në Egjipt kur Saddam Husseini pushtoi Kuvajtin në vitin 1990, një ngjarje që shkaktoi dridhje frike nëpër trupat diplomatike perëndimore në të gjithë botën arabe. Por derisa disa misione evakuuan shtetasit e tyre ose mbyllën ambasadat e tyre, “ne ngecëm”, tha Wisner në një intervistë në 1998. “Unë kisha besim në aftësinë e qeverisë egjiptiane për të mbajtur rrugët nën kontroll. Kisha besim në kahjen e diplomacisë sonë dhe lidhjen e egjiptianëve me ne”.
“Ne i lexuam drejt egjiptianët,” shtoi ai. “Ata na lexuan drejt neve”.
Gjatë kohës së tij në Manila, ku ishte dërguar si ambasador për të ndihmuar në stabilizimin e qeverisë që kishte ardhur me grusht-shteti, zyra e tij ishte suita që dikur e kishte përdoru ish-guvernatori i përgjithshëm amerikan në Filipine.
Por, shumë kohë pasi ai u tërhoq nga detyra e diplomatit në vitin 1997 dhe filloi një karrierë fitimprurëse si këshilltar i lartë i kompanive private, akti i fundit i diplomacisë publike të Wisnerit gjatë të ashtuquajturës Pranvera Arabe e 2011-s u përkeqësua kur ai e gjeti veten në kundërshtim me administratën Obama dhe i izoluar nga rrjedha kryesore e politikëbërjes amerikane.
Në atë kohë, gjersa turma të mëdha u mblodhën në sheshin Tahrir të Kajros për të kërkuar rrëzimin e presidentit pro-amerikan Hosni Mubarak, Presidenti Barack Obama e dërgoi zotin Wisner për t’i dhënë një mesazh homologut të tij egjiptian, të cilin zoti Wisner duhej ta njihte mirë gjatë kohës në detyrë si ambasador atje.
Presidenti Obama donte që zoti Mubarak të pranonte të hiqte menjëherë dorë nga pushteti. Por, pas vetëm një takimi me Wisnerin, Mubarak u tërhoq, duke thënë se garantonte që nuk do të rikandidohej në zgjedhjet e planifikuara për disa muaj më vonë, por se donte të qëndronte në detyrë deri atëherë.
Wisner, i cili gjithashtu takoi Zëvendës Presidentin Omar Suleiman gjatë misionit të tij, u urdhërua të kthehej në Shtetet e Bashkuara.
Ditë më vonë, duke folur me video-lidhje në një konferencë të madhe sigurie në Mynih, Wisner tha se ishte thelbësore që Mubaraku të qëndronte në pushtet për të menaxhuar tranzicionin e tij nga zyra.
Këto komente u hodhën poshtë menjëherë nga Departamenti i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë, përfaqësuesit e së cilës thanë se Wisner kishte folur në cilësinë e tij personale dhe se pikëpamjet e tij nuk pasqyronin politikën zyrtare.
Vite më vonë, në një diskutim online të sponsorizuar nga Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë, Wisner dukej i papenduar për deklaratën e tij.
“Gjatë administratës së Obamës, mua më kërkuan t’i komunikoja Mubarakut largimin e tij nga detyra,” tha ai. “Bëra ashtu siç më udhëzuan”. Por, vazhdoi ai, “politika ndryshoi dhe kjo ishte zhgënjyese për mua”.
Ai besonte se Shtetet e Bashkuara duhet “të dukeshin se po ndihmonin në zgjidhjen e problemeve”, tha ai, “jo të marshojnë në krye të një proteste”.
Ai shtoi: “Kjo uli pozicionin tonë në rajon. Dhe nuk kishte më asnjë mënyrë që ne të vendosnim për të ardhmen e revolucionit egjiptian, siç mësuam më pas.”
New York Times, nuk ka harruar të shtojë edhe rolin e Wisnerit në bisedimet për pavarësinë e Kosovës.
Në vitin 2005, shkruan NYT, administrata e Xhorxh W. Bush e emëroi atë si emisarin e saj special në bisedimet që çuan në pavarësinë e Kosovës në vitin 2008.
