Koalicioni PDAK-LPB, subjekt politik i komunitetit ashkali, ka dorëzuar sot ankesë ndaj rivalit të saj politik, Partisë së Ashkalinjve për Integrim (PAI), mbi dyshimet për orkestrim të votave nga diaspora.
Qazim Rrahmani, udhëheqës i koalicionit PDAK-LPB, ka thënë se ka siguruar fakte për orkestrim të votës nga diaspora dhe ka kërkuar që të anulohen votat nga jashtë për PAI-në.
Momentalisht, bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së, PDAK-LPB udhëheq me 153 vota më shumë sesa PAI.
“Jemi në këtë konferencë të jashtëzakonshme për media për të shprehur shqetësimin tonë për orkestrimin e votave nga diaspora. Kjo temë vjen për shkak se nga komuniteti ashkali ne jemi fitues të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Siç e dini edhe ju ne garojmë për një vend të garantuar dhe jemi fitues të këtij komuniteti. Prej datës 9 shkurt, ne na kanë ardhur disa fakte se rivali ynë politik, Partia e Ashkalinjve për Integrim, ka regjistruar vota nga diaspora në grupe të organizuara, ku një person ka regjistruar deri në 50 vota”, tha Qazim Rrahmani.
“Kështu ne si koalicion PDAK-LPB jemi marrë me këtë çështje. I kemi dërguar faktet tona në Prokurorinë Speciale dhe PZAP, si dhe rezultatin e ngushtë për komunitetin ashkali mund ta ndryshojnë votat e diasporës”, tha lideri i koalicionit PDAK-LPB.
Ai kërkoi nga Prokuroria e Shtetit që të ndërmarrë veprime hetimore për rastin.
