Të fundit

Skandal: QKUK shkel rëndë tri ligje, shpërblen me tender të negociuar një kompani sigurimi

Një hulumtim i Paparacit ka zbuluar një rast të dyshuar korruptiv në QKUK. Institucioni ka shkelur rëndë tri ligje për favorizimin e një kompanie në një tender që ishte paraparë të kushtonte një milionë euro. 

Eros Klaiqi

Qeveria e Albin Kurtit vendosi në gusht të vitit 2024 që paga minimale në Kosovë të jetë 350 euro për orarin e rregullt të punës.

Megjithatë, një institucion shtetëror që menaxhohet nga njerëz të vendosur nga Qeveria Kurti, e ka shkelur këtë ligj.

Në një procedurë të negociuar tenderuese, tenderi për sigurimin fizik të QKUK-së është dhënë në kundërshtim me Ligjin për Pagën Minimale, Ligjin e Punës dhe Ligjin e Prokurimit Publik.

Ky institucion i ka dhënë tender të negociuar një kompanie e cila nuk i ka përmbushur kriteret bazë të vendosura në Dosjen e Tenderit.

Vlera e kontratës me kohëzgjatje gjashtë mujore, ishte parashikuar të peshojë mbi një milion euro. Por, ndryshe ka ndodhur.

Kompania “Skyfterat – Live”, fillimisht ka ofertuar me çmim 1,055,053.91 euro, por pastaj në fazën e negociatave e ka zbritur çmimin në 743,047.92 euro.

Çmimi është zbritur për 306,113.56 euro. Dyshime gjatë fazes së negocimit kishte edhe për formen e renditjes në negocim, ku operatori i shpërblyer me kontratë është ftuar i fundit ne negocim edhe pse kishte ofertën më të shtrenjtë në këtë aktivitet.

Një hulumtim i Paparacit zbulon se kompania fituese i ka shkelur kriteret dhe specifikat teknike të Dosjes së Tenderit.

Përveç kërkesave teknike mbi sasinë e orëve të punës dhe numrin e punëtorëve, kriter i detyrueshëm rezulton të ketë qenë paga mujore bruto 402 euro për punëtorët bazuar në Ligjin për Pagën Minimale.

“Ofertuesi duhet te japë një deklarate me shkrim se kompensimi i të ardhurave mujore (Paga bruto bazë) për punëtorë do të jetë 402 € bruto”, thuhet në përshkrimin e kërkesave në Dosjen e Tenderit.

Kriteret e tjera, mbështetur në Ligjin e Punës dhe Ligjin e Prokurimit Publik, trajtonin llogaritjen e pagesave për punëtorët në orët shtesë, orët e natës, orët gjatë festave dhe pagesën e Trustit Pensional.

“Kontraktori është i obliguar që të respektoj ligjin e punës nr. 03/L-212, Udhëzimin administrativ të MPMS Nr. 09/2017 dhe të paguaj shtesë mbi pagën Bruto bazë për orët e natës dhe festa”, thuhet në dosje.

Ligji i Punës e thotë që për punën më të gjatë se orari i plotë i punës, si dhe për punë në ditët e festave shtetërore dhe për punën e natës, i punësuari ka të drejtë në pagë shtesë, në pajtim me këtë ligj.

Sipas kësaj përllogaritje e thjesht financiare, rezulton se punëtorët e sigurimit fizik të QKUK-së do të paguhen më pak se 370 euro bruto në muaj. Rezulton se ata do të paguhen 2.48 euro për orë pune të rregullt, e jo 3.49 euro sikurse ishte paraqitur në analizën financiare të ofertës.

Bazuar në çmimin e ofertës fituese 286 punëtorët që do të angazhohen për sasinë e orëve të punës të kërkuar sipas Dosjes së Tenderit, ose do të marrin rrogë nën pagën minimale, ose do të paguhen maksimalisht 369 euro në muaj, ose s’do të marrin asnjë cent për orët shtesë.

Atyre nuk do t’iu paguhet as Trusti Pensional.

Tabela që tregon llogaritjen e çmimeve me të cilat ka ofertuar kompania fituese “Skyfterat – Live”

“Skyfterat – Live” fillimisht ishte zotuar për kushte të tjera, tregon analiza financiare e ofertës të cilën kompania e ka ngarkuar në Dosjen e Tenderit para zhvillimit të negociatave.

Në ofertën e rregullt, kompania fituese ishte zotuar për pagë mujore bruto në vlerë 402 euro, konform kriterit bazë në Dosjen e Tenderit.

Në këtë analizë ishin llogaritur edhe orët e natës, orët për festa, orët për vikend, pushimet vjetore dhe trusti.

Oferta e rregullt e kompanisë fituese, para ndryshimit të saj në negociata
Oferta e rregullt e kompanisë fituese, para ndryshimit të saj në negociata

Burime të afërta me këtë proces i kanë thënë Paparacit se ka dyshime për përfshirje të drejtuesve kryesorë të QKUK-së në këtë proces për favorizimin e kompanisë fituese.

Pazari është kryer për tri ditë, sa zakonisht marrin kohë tenderët e negociuar.

Procesverbali i hapjes së ofertave është hapur më 18 mars, sipas të dhënave publike në platformën e-prokurimi, me shtatë oferta të dorëzuara në total.

Oferta me çmimin më të ulët ishte 805 mijë euro, ndërsa ajo më e larta, e kompanisë fituese në fund, kishte çmim 105 mijë euro.

Negociatat janë zhvilluar më 19 mars, një ditë pas dorëzimit të ofertave fillestare nga të gjitha kompanitë.

Paparaci merr vesh se përfaqësuesit e kompanisë fituese, të cilët e ndryshuan ofertën gjatë negocimit me anëtarët e komisionit, ishin ftuar të fundit për negocim dhe kishin dal nga aty me një ofertë përfundimtare me çmimin më të ulët nga pjesëmarrësit.

Çmimi i ulët nuk ka qenë kriter i vetëm për dhënie të kontratës. Sipas Dosjes së Tenderit, kriter për shpalljen e fituesit ka qenë tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët, të cilin kompania e favorizuar nga QKUK-ja nuk e ka plotësuar.

Procesverbali i hapjes së ofertave për tenderin ‘Sigurimi Fizik i Objekteve brenda QKUK-së’

Komisioni Vlerësues i ofertave përbëhej nga tre anëtarë: Ardian Shefkiu – ushtrues detyre i Drejtorit Mjekësor të ShSKUK-së,  Mentor Zejnullahu – drejtor i Shërbimeve të Përbashkëta Tekniko Administrative dhe Mukadeze Mustafa – zyrtare për financa në QKUK.

Ardian Shefkiu, anëtar i komisionit vlerësues, është një kirurg i cili është avancuar disa herë në detyrë në ShSKUK nga menaxhmenti i ri i afërt me pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje. Shefkiu, njëherë ishte rritur në detyrë si drejtor i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK, e pastaj në U.d të Drejtorit Mjekësor në ShSKUK.

Komisionin e ndihmoi edhe Zenel Kuqi, aktualisht në detyrë si shef i Prokurimit në QKUK, raportoi Klan Kosova, e cila e përcolli procesin e negociatave nga afër të mërkurën e 19 marsit.

Komisioni Vlerësues: Zenel Kuqi (i pari majtas në fotografi), Mukadeze Mustafa, Ardian Shefkiu dhe Mentor Zejnullahu
Komisioni Vlerësues: Zenel Kuqi (i pari majtas në fotografi), Mukadeze Mustafa, Ardian Shefkiu dhe Mentor Zejnullahu

QKUK e ka publikuar të hënën e 24 marsit njoftimin për dhënie të kontratës, ndërsa më 27 mars – të enjten – e ka nënshkruar kontratën me kompaninë “Skyfterat – Live”.

Skandaloz ka qenë arsyetimi i QKUK-së për shpalljen si të pabazuar të një kërkese për rishqyrtim të vendimit.

Institucioni e ka hedhur poshtë kërkesën për rishqyrtim duke u thirrur në “emergjencat e krijuara dhe afatet kohore të limituara”.

Përgjigja e QKUK-së në kërkesën për rishqyrtim të operatorëve ankues

Në përgjigje ndaj kërkesës, QKUK ka thënë se “nuk është lëshuar në analizë” financiare, ndonëse llogaritjet financiare përbëjnë pjesën kyçe të kontratës.

Paparaci ka kërkuar të mërkurën sqarime nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës për shkeljet flagrante gjatë procesit tenderues, për dyshimet e favorizimit të një kompanie, për arsyetimin në përdorimin e procedurës së negociuar për këtë kontratë dhe për arsyetimin e shpalljes null të kërkesave për rishqyrtim.

Për gati 24 orë të plota, Paparaci nuk ka marrë përgjigje në këto pyetje dërguar me shkrim përmes adresës elektronike.

Pas shterjes së mundësive të ankimimit pranë Autoritetit Kontraktues, operatorët ekonomikë të disktriminuar në këtë proces mund t’i drejtohen Organit Shqyrtues të Prokumimit brenda dhjetë ditësh nga nënshkrimi i kontratës. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci