Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është deklaruar për vrasjen e policit Muhamed Lika në Kaçanik.
Ai thotë se sulmi ndaj çdo pjesëtari të Policisë së Kosovës është sulm i drejtpërdrejtë ndaj ndaj rendit, institucioneve dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
“Vrasja e mbrëmshme e Rreshterit të Policisë së Kosovës Muhamed Lika ka prekur rëndë secilin prej nesh dhe gjithë Policinë e Kosovës. Që nga momenti që kam marrë lajmin jam në komunikim të vazhdueshëm me Policinë, me kërkesën që sa më parë të zbulohet vrasësi dhe të gjitha rrethanat e këtij krimi”.
Sveçla fton dorasin që sa më parë të dorëzohet në organet e rendit, pasi siç pohon ai “i gjithë aparati shtetëror pa hezitim dhe pa kursim është i mobilizuar të zbulojë dhe arrestojë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë vrasje”.
“Kontributi i Rreshter Muhamedit si në çlirimin e vendit ashtu edhe në garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët tanë, do të mbetet shembull për secilin zyrtar policor në shërbim. I shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së Rreshter Muhamedit, zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe të gjithë atyre që e kanë pasur fatin të njohin atë. U prehtë në paqe në tokën e Republikës sonë të cilës i shërbeu gjithmonë me vullnet e guxim!”, thotë më tej Sveçla.
