Bashkimi Evropian është i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, qoftë përmes dialogut apo ndonjë instrumenti tjetër, ka thënë shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
“Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet. Jam e gatshme ta shqyrtoj këtë çështje, dhe do ta bëj këtë së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm në ditët në vijim”, tha Kallas, e cila pritet ta vizitojë Ballkanin Perëndimor javën e ardhshme.
Më poshtë e gjeni një pjesë të intervistës së shefes së diplomacisë evropiane, Kaja Kallas:
Dialogu Kosovë–Serbi
Radio Evropa e Lirë: Javën tjetër do të vizitoni Ballkanin Perëndimor. Çfarë mendoni për protestat që po shohim aktualisht në Serbi? A jeni të gatshëm të organizoni së shpejti një takim të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë?
Kaja Kallas: Sa i përket protestave, kjo është demokracia – ndodh edhe në vendet anëtare të BE-së që njerëzit të lodhen nga qeveritë dhe të protestojnë. Kjo tregon se demokracia po funksionon.
Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, ose dialogun Beograd-Prishtinë, unë kam emëruar një Përfaqësues të Posaçëm, me të cilin do të ulem për të parë të ardhmen. Ajo që na intereson është normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Qoftë përmes këtij dialogu, apo ndonjë instrumenti tjetër, ne do të mbledhim ide dhe do të dalim me një propozim.
Radio Evropa e Lirë: Pra, a mund të jetë diçka tjetër, përveç dialogut?
Kaja Kallas: Duket se dialogu ka ngecur pak, sepse palët vetëm po ankohen për njëra-tjetrën. Mendoj se duhet ta mbajmë qëllimin përfundimtar në mendje – normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, në mënyrë që të mund të ecin përpara në rrugën evropiane.
Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet. Jam e gatshme ta shqyrtoj këtë çështje, dhe do ta bëj këtë së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm në ditët në vijim.
Radio Evropa e Lirë: Dhe, për fund, lidhur me Gjeorgjinë, si i vlerësoni ndryshimet në Ligjin për agjentët e huaj dhe Ligjin për transmetimin? A ka ende BE-ja ndonjë ndikim mbi Gjeorgjinë?
Kaja Kallas: Situata atje është jashtëzakonisht e vështirë. Dimë që shumica e popullit gjeorgjian mbështet fuqimisht Bashkimin Evropian, dhe dëshiron që Gjeorgjia t’i bashkohet BE-së.
Por, kjo nuk është rruga që ka zgjedhur qeveria. Pyetja për ne është: çfarë mund të bëjmë realisht për ta ndihmuar? Kemi ridrejtuar fondet nga qeveria tek organizatat joqeveritare dhe shoqëria civile, për t’iu ndihmuar që të vazhdojnë rrugën evropiane.
Radio Evropa e Lirë: Por, a ka diçka më konkrete ndaj qeverisë? Sanksionet nuk funksionuan, a ka diçka tjetër?
Kaja Kallas: Ne duhet të kemi marrëveshje në mes të 27 vendeve anëtare. Dhe, ky është problemi këtu. Prandaj, ne ende po punojmë për opsionet që mund të kemi. Kemi vendosur kërkesën për viza për pasaportat diplomatike, por vazhdimisht po diskutojmë se çfarë tjetër mund të bëjmë.
