Përçarja e madhe institucionale në Kosovë është shfaqur hapur në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke nxjerrë në pah mungesën e koordinimit dhe unitetit të lidershipit shtetëror karshi aleatit kryesor të shtetit.
Kanë kaluar thuajse tri ditë prej kur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi publikisht nga kryeministri Albin Kurti që të hiqet taksa 10% ndaj produkteve amerikane – një veprim që do të shënonte një hap drejt përmirësimit të raporteve me SHBA-në.
Megjithatë, qeveria në detyrë nuk ka dhënë ende ndonjë përgjigje zyrtare apo vendim konkret për këtë çështje. Heshtja e ekzekutivit, përballë një kërkese të tillë nga kreu i shtetit, flet për një përçarje të thellë në qasjen institucionale ndaj politikës së jashtme.
Tensionet u thelluan edhe më shumë pas reagimit të ashpër të ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili e quajti të papërshtatshme mënyrën e komunikimit të presidentes Osmani.
Sipas Muratit, një kërkesë e tillë nuk duhej bërë publikisht dhe çështjet fiskale bien në kompetencë të ekzekutivit. U ankua se kërkesa u bë edhe pas përfundimit të orarit të punës.
“Secili shtet serioz, këto çështje i trajton larg mediave,” shkroi Murati më 3 prill, duke e cilësuar ndërhyrjen e Osmanit si jo serioze dhe jashtë praktikave institucionale.
Përplasja verbale nuk mbeti pa reagim nga Presidenca. Këshilltari i Presidentes, Bekim Kupina, e quajti deklaratën e ministrit Murati “të turpshme, skandaloze dhe mungesë të respektit institucional”.
Ai theksoi se bashkëpunimi ndërinstitucional është kyç, sidomos kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me SHBA-në, dhe i bëri thirrje Qeverisë të heqë tarifat “e paarsyeshme” ndaj aleatit më të rëndësishëm të Kosovës.
Përplasjet e tilla e kanë zhvendosur vëmendjen nga thelbi i çështjes – domethënia strategjike që ka raporti me SHBA-në, në veçanti në një kohë kur në Shtëpinë e Bardhë është rikthyer Donald Trump. Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, theksoi se heqja e taksës ka peshë politike, edhe pse jo ekonomike për SHBA-në.
“Heqja e tarifës 10 për qind nuk ka fare rëndësi ekonomike për ShBA, por ka rëndësi politike për presidentin Trump, në një kohë kur shumica e shteteve po e kritikojnë atë,” shkroi Ahmeti në rrjetin “X”.
Se sa vlerë ka një hap i tillë për administratën amerikane e tregon edhe vetë presidenti Trump. Ai së fundmi promovoi publikisht kërkesën e një politikani vietnamez për ta çuar në zero taksën ndaj SHBA-së – një paralajmërim i qartë se veprimet pro-amerikane, sado simbolike, kanë peshë në Uashington.
Në vend se të jenë të bashkuara në një qëndrim të qartë dhe të koordinuar ndaj SHBA-së, institucionet e Kosovës po japin sinjale përçarjeje, duke minuar kështu besueshmërinë e vendit përballë partnerit më të rëndësishëm ndërkombëtar.
