Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka thënë se “ndoshta” përfaqësuesit e Nismës Socialdemokrate e kanë thyer besën e dhënë para zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Ai, në një paraqitje para mediave të hënën, tha se AAK-ja dhe Nisma kishin një marrëveshje para zgjedhjeve. Ajo ishte për një qeveri të opozitës.
I pyetur për qëndrimin e Nismës në raport me formimin e institucioneve të reja, Berisha tha se nuk ka informata pasi që nuk është duke i udhëhequr bisedimet me Fatmir Limajn.
“Nuk jam duke bisedu me ta [me Nismën, v.j] se është duke i udhëheq bisedimet dikush tjetër”, tha fillimisht ai.
“Unë koalicionin me Nismën kam besuar se do të jetë i frytshëm dhe kam besu në ato fjalë që i kemi folur që duam ta bëjmë një qeveri të opozitës dhe ta kthejmë për së mbari Kosovën. Nashta është thyer besa, por ta shohim tash. Nuk mund të flas para kohe”, u shpreh Berisha.
Sipas Berishës, të martën kur mblidhet për herë të parë legjislatura e re e Kuvendit, nuk pritet të formohet një qeveri e re.
“Qeveria s’ma merr mendja, por Kuvendit ish dashtë me konstitu besoj. Bëhet qeveria e opozitës, ne i kemi të qarta qëndrimet tona për një qeveri të opozitës”, tha ai.
