Pas një pauze prej afërisht dy muaj larg referimit, gjyqtari Mervan Bejtuallhu është rikthyer përsëri. Bejtullahu është deleguar në ndeshjen mes Gjilanit e Dukagjinit – ndeshje kjo për të cilën edhe ishte dënuar.
Pas afërsisht dy muaj prej kur gjyqtari Mervan Bejtullahu kishte kërkuar falje se kishte dëmtuar skuadrën e Gjilanit në përballjen ndaj Dukagjinit, Federata e Futbollit e Kosovës e ka caktuar përsëri Bejtullahun “të ndajë drejtësinë” në ndeshjen e njëjtë. Tani, në atë të kthimit që do të zhvillohet në Gjilan.
Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë sot ndarja e shortit për delegimin e gjyqtarëve. Nga delegimi me short, siç edhe ndodh zakonisht, Bejtullahu do të ndajë drejtësinë në një ndeshje ku luan Dukagjini.
Bejtullahu është caktuar gjyqtar kryesor i takimit mes Gjilanit e Dukagjinit që zhvillohet në kuadër të xhiros së 30-të të Superligës.
Si gjyqtar kryesor i këtij takimit, Bejtullahu do të ndihmohet nga gjyqtarët Fatlum Berisha, Bajram Kabashi e Isak Ceroviku.
“Në luftën” për mbijetesë, ndeshja i është besuar një gjyqtari kontravers që e kishte dëmtuar pikërisht skuadrën e Gjilanit nëntë xhiro më parë.
Bejtullahu kishte pranuar se nuk i kishte akorduar dy penallti për Gjilanin, për çfarë edhe kishte kërkuar falje, ndërsa ishte zotuar se do të bënte më të mirë e mundshme në të ardhmen e tij.
“Me sinqeritet të plotë, shpresoj që kjo ndjesë të shërbejë si një shenjë e pendesës sime të thellë. Unë i marr këto gabime shumë seriozisht dhe do të punoj vazhdimisht për të përmirësuar gjykimin tim dhe për të siguruar që standardet e arbitrimit të jenë sa më të larta në të ardhmen”, kishte thënë Bejtullahu në shkurt të këtij viti.
Edhe pse nuk kishte një vendim të shkruar, sipas raportimeve Bejtullahu ishte dënuar nga FFK-ja. Ai nuk ishte deleguar në ndeshjet e Superligës.
Mirëpo, pas pothuajse dy muaj nga ndeshja e shumëpërfolur, Bejtullahu është deleguar përsëri. Pikërisht në përballjen mes dy skuadrave për të cilën edhe ishte dënuar.
