Tri vjet pasi shteti e riktheu nën administrim, me ndërhyrje të policisë, ndërmarrjen shoqërore “AgroKosova Holding”, një proces në Tribunalin e Arbitrazhit Ndërkombëtar pret t’i japë fund kontestit mes privatizuesit dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Kosova po përballet në këtë tribunal me pretendimet e “AgroKosova Holding” dhe Qendrës së Mobileve Italiane (QMI) për tërheqjen e paligjshme të aksioneve të ndërmarrjes “AgroKosova Holding” në Suharekë.
Pretendimet e tyre janë që të marrin dëmshpërblim nga shteti në vlerë disa miliona euro, raporton Paparaci.
Palë e paditur është Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), e cila në janarin e vitit 2022 mori vendim për tërheqjen e aksioneve të “AgroKosova Holding” dhe Qendrës së Mobileve Italiane, me arsyetimin se blerësi nuk i ka përmbushur kushtet e kontratës.
Për mbrojtjen e AKP-së në këtë rast, Ministria e Drejtësisë ka angazhuar të premten një studio ligjore austriake.
Përmes një procesi të negociuar të prokurimit publik, Ministria e Drejtësisë ka lidhur kontratë me studion ligjore “Zeiler Rechtsanwälte GmbH”, me bazë në Vjenë të Austrisë, të vlefshme 1.5 milion euro.
Në përshkrimin e kontratës thuhet se synimi i kontratës është përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të AKP-së ndaj kërkesës për arbitrazh të dorëzuar nga “AgroKosova Holding” dhe “QMI”.
“Përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në cilësinë e administratorit për dhe në emër të NewCo Agrokosova Holding, në kuadër të kërkesës për arbitrazh të dorëzuar nga Agrokosova dhe QMI Qendra e Mobileve Italiane SH.P.K kundër AKP-së sipas rregullave të arbitrazhit”, thuhet në Dosjen e Tenderit.
Edhe dy zyra amerikane të avokative kanë dorëzuar ofertat e tyre për këtë tender, por ato janë eliminuar për shkak të çmimeve më të larta sesa oferta fituese.

Kompania fituese, në bazë të Dosjes së Tenderit, do të përfaqësojë Kosovën edhe në një rast tjetër përmes të njëjtës kontratë.
Kontrata parasheh se “Zeiler Rechtsanwälte GmbH” do të realizojë mbrojtjen në rastin e Arbitrazhit Ndërkombëtar të kompanisë “Suhareka Verari” Sh.p.k & Prorena ndaj Republikës së Kosovës.
Ndërmarrja shoqërore “NBI Suhareka/Agrokosova Holding” është privatizuar në vitin 2007 më metodën e spin-off special, me një vlerë mbi katër milion euro.
Procedura e spin-off-it special nënkupton që blerësi nuk ka të drejtë të ndryshojë veprimtarinë e ndërmarrjes, duhet të punësojë një numër të caktuar të punëtorëve dhe të realizojë investime të reja.
Në procesin e privatizimit, sipas Marrëveshjes së Zotimeve, blerësi ishte zotuar se gjatë periudhës dyvjeçare do investonte 8.6 milionë euro.
AKP-ja pretendon se blerësi nuk i ka përmbushur zotimet e parapara me kontratë.
Me këtë arsyetim, Agjencia, me ndihmën e Policisë së Kosovës, në një aksion në shkurt të vitit 2022 e ka kthyer ndërmarrjen nën administrimin direkt të saj.
“AgroKosova Holding” e ka ankimuar rastin në gjykatat vendore, duke i fituar disa raste për caktim të masës së sigurimit ndaj vendimit të AKP-së. Së fundmi, në nëntorin e vitit 2024, një Kolegj i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme ka vendosur në favor të AKP-së.
Kompania “Agrokosova Holding”, me drejtor Aziz Tafajn, është marrë më prodhimin e verërave. /Paparaci.com
