Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha i bëri thirrje organeve shtetërore dhe Qeverisë së Kosovës që të punojnë në themelimin e një task-force për adresimin e çështjes së lirisë së medias në Kosovë.
Duke folur për raportin e vitit 2025 të organizatës Reporterët pa Kufij, në një paraqitje për media në oborrin e Qeverisë së Kosovës, Rexha vlerësoi se raporti përbën një “alarm të jashtëzakonshëm” për shoqërinë.
“Në emër të Bordit të AGK-së jemi mbledhur këtu për të shprehur shqetësimin tonë serioz për rënien drastike, alarmuese të Kosovës në renditjen e raportit të vitit 2025 të Reporterëve pa Kufij. Është në vendin e 99-të siç e keni parë, 24 vende më poshtë sesa vitin e kaluar. Ky është një alarm i jashtëzakonshëm, është një rangim shokues që e lë Kosovën si vendin e fundit, më së keqi, në Ballkanin Perëndimor”, tha Rexha në hyrje të deklaratës së tij, raporton Paparaci.
Rexha i bëri thirrje autoriteteve shtetërore, sidomos qeverisë, që të angazhohet në formimin e një task-force për adresimin e gjetjeve të raportit të indeksit vjetor të lirisë së shtypit, të publikuar sot nga organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufij.
AGK-ja është e gatshme të bashkëpunojë me institucionet e vendit në këtë drejtim, pohoi kryetari i AGK-së.
“Të bëhemi bashkë, nëse është e nevojshme duke e formuar një çfarëdo që e quajmë, një task-forcë kombëtare, për t’i adresuar këto gjetje dhe për të adresuar lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në Kosovë. AGK-ja është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha palët në mënyrë që vitin tjetër ky rangim të jetë më i mirë”, tha Rexha.
Rexha tha se raporti, i cili e renditi Kosovën në vendin e 99-të në botë për liri të medias, përfshin disa arsye për rangimin e dobët, përfshirë Ligjin e Komisionit të Pavarur të Mediave dhe “fushatën e vazhdueshme denigruese ndaj gazetarëve” nga eksponentët e pushtetit aktual.
“Raporti i rendit disa prej arsyeve kryesore, duke përfshirë Ligjin e Komisionit të Pavarur për Media të cilin e kemi kundërshtuar që nga fillimi por i cili ishte miratuar nga mazhoranca në korrik të vitit të kaluar; fushatat e vazhdueshme denigruese ndaj gazetarëve, sidomos me togfjalëshin e njohur që ‘janë bashkëpunëtorë të armikut’ të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë këtyre muajve dhe në fakt po zhvillohen edhe gjatë ditës së sotme pas publikimit të këtij raporti; dhe gjithashtu një tjetër element që përmendet në raport është edhe ndërhyrja ose mungesa e pavarësisë së transmetuesit publik – RTK”, tha Rexha.
Ai tha se raporti përmend edhe rritjen e padive të ashtuquajtura “SLAPP” ndaj gazetarëve, si dhe vëzhdimi i dyshuar i paligjshëm i gazetarëve nga pushteti.
Sipas Rexhës, është momenti i fundit që shoqëria kosovare të reflektojë në raport me lirinë e medias.
