Në Kosovë po thellohet dita-ditës një krizë institucionale që po paralizon funksionimin normal të shtetit. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka mohuar një krizë të tillë, duke insistuar se “mekanizmat e shtetit funksionojnë” dhe se “nuk kemi krizë, por vetëm një vakum kushtetues”. Por realiteti politik dhe institucional në vend flet krejt ndryshe.
Që nga 23 marsi, Kosova është duke u qeverisur nga një ekzekutiv pa mandat të plotë dhe me kompetenca të kufizuara. Në këtë periudhë, nuk është miratuar asnjë marrëveshje ndërkombëtare, asnjë projektligj, asnjë strategji dhe nuk janë ndërmarrë asnjë emërime në pozita publike.
Paralelisht, nga 15 prilli e deri më sot, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, pavarësisht 13 përpjekjeve të dështuara, me të 14-tën që pritet më 11 maj.
“Ndonëse deputetët opozitar, koleg tanë në legjislaturën e 9 më herët votonin hapur kundër propozimit tonë, e tashmë s’marrin pjesë në votim për të pasur votim të fshehtë. Në Kosova kemi njëfarë vakumi kushtetuese që mbase s’do të duhej ta kishim marrë vesh fare. S’kemi krizë sepse mekanizmat e shtetit funksionojnë dhe organet e rendit dhe sigurisë veprojnë. Vetëm Kuvendi i ri i Kosovës ende s’është konstitutar, sepse Kushtetuta e Kosova s’parasheh se çfarë duhet bërë kur propozimi për kryetar të Kuvendit s’i merr votat”, ka thënë Kurti.
Kurti pranon se Kushtetuta nuk e parasheh situatën kur propozimi për kryetar të Kuvendit nuk merr votat e nevojshme, por këmbëngul se nuk ka krizë institucionale, sepse “organet e rendit dhe sigurisë veprojnë”.
Por moskonstituimi i Kuvendit, fakti që qeveria është në detyrë, dhe që nuk ka asnjë kontroll parlamentar mbi ekzekutivin prej gati gjysmë viti, janë elementë thelbësorë të një krize të plotë institucionale.
Partia që ka dalë e para në zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka arritur të krijojë një shumicë, qoftë me parti të tjera apo me deputetë individualë. Kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit ka dështuar vazhdimisht, ndërkohë që opozita ose voton kundër, ose mungon në sallë për të penguar kuorumin. Kurti flet për “lojalitet institucional” dhe përgjegjësi të përbashkët, por e bart të gjithë fajin te të tjerët: “bllokimi vjen prej atyre që votojnë kundër apo s’votojnë fare”.
“Kuvendi s’themelohet nga fituesi, pavarësisht as është ai fitues absolut apo relativ. Kuvendi themelohet nga të gjithë dhe bashkë. Si fitues të zgjedhjeve, nga takon kryetari i Kuvendit dhe pavarësisht që jemi fitues të zgjedhjeve, na takon një nënkryetar Kuvendi”, ka thënë Kurti.
“Ne s’jemi bllokuar sepse kemi propozuar kandidatin tonë. E kemi bërë në fillim menjëherë. Bllokimi vjen prej atyre që votojnë kundër apo ata që s’votojnë fare.. Propozimi ynë për kryetare të Kuvendit është Albulena Haxhiu. Të tjerët re ti ruajnë propozimet e tyre kur t’iu vijë radha atyre. Si fitues na takon kryetari i një nënkryetar dhe katër nënkryetar partive të tjera”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë, nuk ka kush të shtyjë përpara procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, dhe vendi po humb miliona euro nga Bashkimi Evropian, për shkak të mungesës së një qeverie të plotë dhe një Kuvendi funksional./Paparaci.com.
