Drejtori i investimeve kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, ka bërë të ditur se Ministria e Kulturës i ka bërë procedim për kundërvajtje në gjykatë për shkak të asfaltimit të rrugës “Agim Ramadani”.
Sipas postimit të Havollit në rrjetin e tij social në Facebook, MKRS-ja ka bërë procedim për kundërvajtje në Gjykatë për shkak se ai nuk ka marrë leje në ministri për asfaltimin e kësaj rrugë.
Havolli ka thënë se nuk i ka bërë përshtypje ky procedim, teksa ka bërë të ditur edhe projektet tjera që i ka realizuar pa miratimin e MKRS-së.
“Sot kuptova se MKRS kishte bërë para disa javëve një procedim për kundërvajtje në Gjykatë kundër meje sepse unë pa pyetur ata, kam bërë asfalltimin e rrugës Agim Ramadani. As që më len përshtypje ky procedim sepse veprimet e mia janë në të mirë të infrastrukturës së Kryeqytetit, nuk dëmtojnë asgjë, përkundrazi, përkrahin me infrastrukturë monumentet. As që do të pyes ndonjëherë MKRS-në për rregullime të tilla.
Ja edhe disa punë në të cilat MKRS mund të bëjë procedime të ngjashme:
1) kanalizimi në rrugën Bajram Kelmendi
2) kanalizimi te fakulteti ekonomik
3) kanalizimi i MKRS-së
4) mbyllja e gropave në rrugën Qamil Hoxha
5) mbyllja e gropave në rrugën Sylejman Vokshi
6) mbyllja e gropave në udhëkryqin e rrugës Luan Haradinaj dhe Dritan Hoxha
7) rregullimi i asfalltit në rrugën Ibrahim Lutfiu
8 ) rregullimi i kanalizimit afër rrugës Ibrahim Lutfiu
Ka edhe shumë të tjera, por sa për fillim, këto ua përmenda” thuhet në postimin e tij.
E krejt në fund, Havolli ka bërë të ditur se inspektori i ministrisë që i ka bllokuar punimet e komunës është avancuar në pozitën e drejtorit të Ansamblit “Shota”.
“P.s. inspektori i zellshëm i pushtetit i cili ka bllokuar punimet e Komunës së Prishtinës qenka avancuar në Drejtor të Ansamblit “Shota”, si shpërblim për këto bllokada”, përfundon postimi i Havollit.
