Ish-shërbëtori besnik i kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviq, aktualisht në shërbim të Vuçiqit, Millovan Drecun, ka deklaruar se për të “është e papranueshme që komandanti i KFOR-it ka lejuar që në Kosovë të zhvillohet ushtrimi ushtarak “Defender Europe 2025”, në të cilin, sipas tij, marrin pjesë vende të cilat, sipas Rezolutës 1244, nuk do të duhej të ishin të pranishme në Kosovë”.
Drecun ka pretenduar se kjo mund të interpretohet si një mesazh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se, pavarësisht se kush është në Shtëpinë e Bardhë, mbështetja për shndërrimin e FSK-së në forca të armatosura do të vazhdojë.
“Ata u ofrojnë atyre trajnim, pajisje, armatim, kanë bashkëpunim të inteligjencës, kështu që është një mbështetje e plotë, dhe pjesëmarrja në këto ushtrime, ushtrime aleate, siç i quajnë ata, është kulmi i promovimit të “të ashtuquajturave” Forcave të Armatosura të Kosovës, të cilat kanë hyrë në fazën e tretë të transformimit”, ka thënë Drecun për televizionin në shërbim të Vuçiqit “TV Përva”, transmeton Paparaci.
Ai ka thënë se ky në fakt nuk është një ushtrim i Aleancës, por se organizohet nga SHBA me vende partnere dhe aleate, dhe se data e ushtrimit varet ekskluzivisht nga organizatorët.
“Pra, në kuadër të ushtrimit marrin pjesë disa vende që janë anëtare të NATO-s, por nuk e organizon NATO-ja. Ato planifikohen afatgjatë dhe mbahen pothuajse çdo vit. Data është me gjasë planifikuar më herët. Nëse ka ndonjë simbolikë, nuk e di, kjo varet nga ata që e kanë planifikuar. Ajo që është “e papranueshme” është që këto ushtrime po organizohen në “territorin e krahinës sonë jugore”, dhe se komandanti i KFOR-it nuk e ka ndaluar mbajtjen e tyre”, dhe një herë Drecuni dëshmon se ka mbetur me ideologjinë e ish-shefit të tij dhe të Vuçiqit të shekullit të kaluar.
Ai ka pretenduar se trupat që marrin pjesë në ushtrimin “Defender Europe 2025” nuk janë pjesë e KFOR-it të cilat, sipas Rezolutës 1244, “nuk mund të jenë të pranishëm në Kosovë”, por janë trupa jashtë KFOR-it, duke vazhduar se “asnjë formacion tjetër ushtarak përveç KFOR-it nuk lejohet të jetë i pranishëm në Kosovë”. Në këtë kontekst, sipas tij, “komandanti i KFOR-it nuk duhet të ketë një qëndrim aq tolerant dhe të lejojë mbajtjen e këtyre ushtrimeve”.
“Së dyti, është e papranueshme që në të gjithë këtë marrin pjesë edhe pjesëtarë të “të ashtuquajturave” Forcave të Sigurisë së Kosovës, të cilat po shndërrohen në një lloj ushtrie të Kosovës, në “të ashtuquajturat” Forca të Armatosura të Kosovës, por komandanti i KFOR-it ka përgjegjësinë më të madhe për faktin që në tërësi ka lejuar zhvillimin e këtij ushtrimi”, ka thënë Drecun.
Ai ka shtuar se mbajtja e këtij ushtrimi “është e papranueshme edhe për shkak të faktit që aty marrin pjesë edhe pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë”, e cila, sipas tij, “në mënyrë të qartë dëshiron të aneksojë me dhunë një pjesë të territorit serb dhe po e bën këtë me ngulm”, por edhe përfaqësues të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Shqipëria ka qëllimin e vet. Prandaj krijoi UÇK-në “terroriste” dhe bëri gjithçka që bëri gjatë gjithë këtyre viteve. Pastaj janë aty pjesëtarët e forcave të armatosura kroate, pastaj të bullgarëve, pastaj të Maqedonisë së Veriut. Vende që e kanë njohur shtetin “e rremë” të Kosovës. Kam një problem shumë të madh pse komandanti i KFOR-it nuk po reagon ndaj gjithë kësaj. Natyrisht, e dimë që nuk do t’i kundërvihet amerikanëve, por kjo është një situatë thjesht e papranueshme”, ka deklaruar ky shovinist i dëshmuar në këtë propagandë armiqësore kundër Kosovës të dizajnuar, qysh në shekullin e kaluar nga ish-shefi i tij dhe shefi aktual./Paparaci.com
