Gazetari Vehbi Kajtazi ka hedhur dyshime mbi lidhjet e Shemsi Bahtirit me Lëvizjen Vetëvendosje, duke sugjeruar se ai mund të ketë kontribuar financiarisht për ardhjen e kësaj force politike në pushtet, dhe se figura të larta të partisë mund të kenë qenë në dijeni për aktivitetet e tij të dyshimta.
Kajtazi tha se dokumentet për aktivitetin e Bahtirit dhe të tjerëve të përfshirë kanë ardhur që në vitin 2022 nga INTERPOL-i, konkretisht nga Belgjika dhe Holanda, përfshirë edhe mikun e vëllait të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“E kam një dyshim mbase edhe të bazuar se ka qenë në dijeni. Se mund të ketë qenë kontribues edhe financiar për LVV-në, për ardhjen e tyre në pushtet dhe mund të kenë qenë në dijeni edhe për veprimtarinë e tyre. Dokumentet fillimisht kanë ardh në 2022-tën prej prej Interpolit, Belgjikës, Holandës për veprimtarinë e tyre, përfshirë mikun e vëllait të Xhelal Sveçlës”, u shpreh Kajtazi në “VV Show”.
Ai ngriti pyetje serioze mbi faktin se si është e mundur që një hetim i tillë të qëndrojë i fshehtë për më shumë se dy vjet, pa dijeninë e ministrit të Brendshëm.
“Dhe tash mbase kanë pas informacion se kush janë këta njerëz të përfshirë se hetimi ka nis qysh atëherë dhe ky hetim është zhvillu. A ta merr mendja që ka mujt me qenë kaq sekret ky hetim. Për kaq kohë që mos me marr vesh Xhelal Sveçla. Po flas për periudhën hetimore, se për operacionin është tjetër. Operacioni për arrestimin e tyre ka qenë shumë i fshehtë për shkak të frikës se mund të ndërhyjë ministri i Brendshëm”.
Sipas tij, përfshirja e Bahtirit në qarqet më të larta të LVV-së nuk ishte rastësore.
Kajtazi përshkroi një figurë që ishte “gjithkund”, me Bojken Abazin në Shqipëri, me ministrat Xhelal Sveçla, Arben Vitia, Albulena Haxhiu dhe madje edhe me kryeministrin Albin Kurti.
“Ta marr si shembull, mund të jetë një aktivist shumë i devotshëm që e do LVV-në, e do bashkimin kombëtar, e do ideologjinë e LVV-së, por nuk mund të ketë qasje në karrigen e Albin Kurtit në të cilën i pret ai edhe kur ata anëtarësohen. Pra, ky ishte gjithkund. Ishte edhe me njerëz të Shqipërisë, Bojkenin, ata ideologët atje që konsiderohen, ishte me Xhelal Sveçlën, me Arben Vitinë, Albulena Haxhiun, Albin Kurtin. Ishte me të gjithë, pa e pas një lidhje, një interes, nuk kish mujt me qenë kaq i përfshirë. Dhe kjo është shqetësuese sipas meje”.
Kajtazi kritikoi heshtjen totale institucionale pas operacionit të arrestimit.
“Asnjë fjalë nuk e tha ministri i Punëve të Brendshme. Nuk e përshëndeti operacionin. As kryeministri, as kërkush”.
