Gazetari Vehbi Kajtazi ka reaguar me tone të ashpra ndaj gjendjes në Radio Televizionin e Kosovës, pas rikujtimit të një premtimi të vjetër të Albin Kurtit, kur ishte në opozitë.
Në atë video e cila u shfaq në “VV Show”, Kurti thoshte: “Ne televizionit publik kur do të jemi në qeveri t’ia shtojmë kontrollin financiar dhe do t’ia heqim kontrollin politik”.
Por sot, sipas Kajtazit, ndodh krejt e kundërta, kontrolli politik është total, ndërsa RTK është degraduar si kurrë më parë.
“Nuk ka institucion më të degraduar se RTK-ja. Nuk ka. Aty është tmerri i Zotit. Dmth Rilind Gërvalla është një militant i LVV-së, tash është drejtor. Ai vendos aty”, tha ai.
Kajtazi tha se ai vetë rrallë e sheh RTK-në, por tregon diçka që e hasi së fundi.
“Nuk e kqyri RTK-në, shumë rrallë. Një ditë në shtëpi lajmet qendore, në fillim doli reagimi i Donika Gërvallës kundër bastisjes në ministrinë e Pecit, kundër intervistimit të tij, pastaj doli storja që është bastisë e është intervistu Faton Peci. Kqyre çfarë qoroditje totale i kanë bë edhe rënditjeve të lajmeve”.
Ai tregon se gazetarët ndëshkohen edhe për detaje të tilla teknike.
“Janë ndështu gazetarët aty pse një lajm nuk e kanë rëndit qysh duhet sipas tyre për kryeministrin Kurti. Ato vendime i ka rrëzu Inspektorati i Punës, por tendencën këta e kanë të përditshme”.
