Arben Taravari, ish-aleati kryesor i Albin Kurtit në Maqedoninë e Veriut, është afruar me Edi Ramën.
Të martën, kreu i Aleancës Shqiptare, u takua me Ramën në Shkup dhe e quajti atë kryeministrin “që e sjell Evropën kaq afër Ballkanit”.
Kryeministri shqiptar dhe lideri politik në Maqedoninë e Veriut u takuan në kuadër të vizitës së Ramës në Shkup për Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor.
Në Maqedoni të Veriut ka qëndruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të cilin Taravari ka pasur aleancë në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë.
Taravari mori pjesë në disa tubime të Kurtit në fushatën për zgjedhjet parlamentare në fillim të këtij viti.
Por, raportet mes tyre janë shembur krejtësisht. Taravari tha në një intervistë televizive disa ditë më parë se i ka ndërprerë kontaktet me Kurtin.
