Ngjarja e tretë për nga pesha historike për vendin pas Çlirimit dhe Shpalljes së Pavarësisë është konfirmimi ndërkombëtar se bërja e këtij shteti, Kosovës, nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Kjo me vulën e institucionit më të lartë të drejtësisë, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kosova shtet më vete, i pavarur, tashmë në tavolinën e secilit kre shteti të botës, kishte stamp përfundimtar ligjshmërie. Njohja e saj tashmë do të kishte edhe argumentin më të madh juridik me vete përballë secilës vendimmarrje. Por, një njeri, me një organizatë politike, në Kosovë, kishte mendim krejt tjetër: Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Me sy të ligë e kishte parë atë Opinion. Gëzim nga ai s’kishte nxjerrë. Kishte nxjerrë vetëm kritikë, se ai Opinion s’kishte përmbushur gjë – në mendjen e tij – për Kosovën e saposhpallur shtet. Në këtë dritë, kishte nxjerrë një Artikull në gazetën javore të “Vetëvendosjes”, saktësisht numrin 255 e botuar më datën 26 korrik, 2010. Kjo, katër ditë pas një nga ditët kur do të shënohej.
Numër një, nis kritika në atë artikull: Kosova, “politikanët e saj pasivë”, ia lanë iniciativën Serbisë që ta sfidojë këtë pavarësinë e shtetit në OKB. Si? Duke mos e paditur Serbinë për reparacione të luftës, për të pagjeturit/.
“Atëherë Serbia nuk do të kishte pasë as kohë të merret me padi të tilla, të cilat na i morën më shumë se një vitë e gjysmë kohë”, argumentonte Vetëvendosja me kryetar Albin Kurtin.
Menjëherë vijon të argumentojë të kundërtën e konstatimit që kishte dalë nga GjND, po e kopjojmë tekstin të plotë, siç e ka shkruar Vetëvendosje



…
Opinioni i GJND-së mund të përmblidhet në tri pika kryesore:
a) Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkel të drejtën ndërkombëtare.
b) Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkel Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
c) Kjo pavarësi nuk e ka shkel Kornizën Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme në Kosovë.
Sa i përket pikës së parë, pothuajse të gjithë analistët, politikanët e zyrtarët, e kanë interpretuar atë si bazë të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Do të ishte mirë të ishte kështu, por kjo gjë fatkeqësisht nuk është e vërtetë. Gjykata vetëm ka shpjeguar se nuk ka norma pozitive të së drejtës ndërkombëtare të cilat e sanksionojnë shpalljen e pavarësive apo ndalimin e tyre. Konstatimi se ”shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkel të drejtën ndërkombëtare”, nuk e implikon përfundimin se kjo shpallje është në përputhje me tëdrejtën ndërkombëtare, sepse e drejta ndërkombëtare në përgjithësi nuk i parasheh procedurat e ligjshme të krijimit të shteteve. Gjithsesi që një qëndrim i tillë është pozitiv në kuptimin e konceptimit të shtetit si fakt real. Por politikanët e Kosovës e konceptojnë shtetin vetëm si shpallje, prandaj kjo e rrezikon integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës.
…
Kaq keq, dhe që s’kishte zgjidhur, ishte Opinioni i GjND-së, në sy të Vetëvendosjes.
Fast-forward 15 vite më vonë, Albin Kurti, madhëron Opinionin e GjND-së – krejtësisht në kundërthënie me atë çka shkruante 15 vjet më parë.
Postimi i plotë i Kurtit sot për Opinionin e GjND-së (me BOLD kundërthëniet e sotme me veten e atëhershme):
Sot bëhen 15 vite nga shpallja e Mendimit Këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Mendimi Këshilldhënës i GjND-së i dha dritë njohjes vendimtare të së drejtës së popullit të Kosovës për shtetformim, vetëvendosje e liri.Ajo do mbetet akt i vulosjes së ligjshmerisë së pavarësisë së Kosovës në të drejtën ndërkombëtare, dëshmi për legjitimitetin ndërkombëtar të së drejtës për vetëvendosje të popullit të Kosovës dhe akt konfirmues i evidencës shoviniste e kolonizuese të Serbisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Mendimi Këshilldhënës është një nga momentet më frymëzuese në marrëdhëniet ndërkombëtare, për shkak se i jep shpresë e vullnet popujve liridashës që drejtësia ndaj kauzës së tyre më në fund edhe mund të triumfojë. Vlera juridike e këtij Mendimi, nuk do mend, do t’i shërbejë gjeneratave të juristëve si një mësim për parimësinë dhe etikën në vendosjen e interpretimin e vlerave universale. Ajo do mbetet edhe një mësim për Serbinë, e cila me nxitim loboi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për ta pyetur Gjykatën për ligjshmërinë e pavarësisë së Republikës sonë. Nxitimi i saj u kthye në një humbje të madhe të politikës serbomadhe, e po ashtu simbolikisht një kujtim për viktimat e kolonizimit, diskriminimit sistematik e gjenocidit të saj. /Nacionale.com

