Drejtori i Termokosit, Fisnik Osmani i ftuar në emisionin “Paradoks” të gazetarit Vehbi Kajtazi, ka deklaruar se gjatë katër viteve të fundit kompania ka përjetuar një transformim të madh në të gjitha aspektet nga zgjerimi i rrjetit e deri te modernizimi i pajisjeve matëse.
“Nëse e shohim me numra dhe me rezultat të matshëm, Termokosi ka përjetuar një transformim drastik gjatë kësaj periudhe katërvjeçare,” deklaroi Osmani.
Ai theksoi se një nga arritjet më të mëdha është zgjerimi i rrjetit të ngrohjes, përmes të cilit janë kyçur mbi 13 mijë adresa të reja, që përkthehen në mbi 65 mijë qytetarë të rinj që përfitojnë nga shërbimet e Termokosit.
“Nëse e përkthejmë në numër të qytetarëve, i bie të jenë përmbi 65 mijë banorë. Mirëpo këtu përfshihen edhe shkolla dhe objekte fetare si xhamitë, të cilat për herë të parë janë kyçur në rrjetin e ngrohjes,” tha Osmani, duke shtuar se ky është një impakt i rëndësishëm për komunitetin që praktikon rituale fetare pesë herë në ditë.
Ai foli edhe për një projekt të madh të zgjerimit, rehabilitimit dhe modernizimit të rrjetit, i cili ka përfshirë zona të gjera të Prishtinës që më parë nuk kanë pasur fare qasje në ngrohje.
“Po flasim për lagjen Muharrem Fejza, Arbëria 1, rrugën Ahmet Krasniqi e deri poshtë te Komuna, si dhe një pjesë të madhe të objekteve në Ulpianë, Dardani, banesat e vjetra përballë hotelit Grand, pjesën e sheshit, mbrapa Siriusit dhe komplet zonën nën park,” tha Osmani.
Ai njoftoi gjithashtu se janë instaluar mbi 325 nënstacione të reja, si dhe pajisje moderne të matjes në mbi 19 mijë njësi banimi.
