Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, theksoi sot se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës, duke refuzuar certifikimin e kandidatëve të kësaj liste për zgjedhjet lokale të ardhshme, ka marrë një vendim “diskriminues dhe të paligjshëm”. Ai njoftoi se Lista Serbe do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm që kandidatët e saj për kryetarë komunash dhe asamblistë të certifikohen, transmeton Paparaci.
Ellek, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, kujtoi se Zyra për regjistrimin, verifikimin dhe kontrollin financiar të subjekteve politike më 20 gusht i kishte dhënë një rekomandim pozitiv KQZ-së për certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe, por KQZ-ja e kishte refuzuar atë rekomandim me vendimin e saj.
Komisioni nuk e certifikoi Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të vjeshtës, me dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime. Për certifikim votuan kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi dhe përfaqësuesi i Listës Serbe, ndërsa dy anëtarë nga Vetëvendosje ishin kundër, dhe përfaqësuesit e partive të tjera abstenuan.
Elek e cilësoi paradoksale faktin që në KQZ është zhvilluar diskutim ku kandidatët e Listës Serbe janë quajtur “pa bazë” terroristë dhe është pretenduar se janë në kërkim, përcjell Paparaci.
Ai ka thënë se “janë thënë gënjeshtra brutale dhe se kjo është bërë pjesë e një narrative të përsëritur, me të cilën është mësuar popullata serbe”, por, sipas fjalëve të tij, “fatkeqësisht me këtë janë mësuar edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, gjë që çka është e rrezikshme”.
“Ne e kemi thënë disa herë publikisht, si në takime me mediat ashtu edhe me përfaqësuesit ndërkombëtarë, se deklaratat e zbehta nuk do të ndihmojnë. Është e qartë se dikujt i ka penguar rezultati i Listës Serbe, prandaj ato vota është dashur të numërohen për një muaj, derisa të gjendej vend për të përkëdhelurin e Kurtit. Ajo që na shqetëson veçanërisht është nevoja për mesazhe të qarta nga bashkësia ndërkombëtare, nëse duan vërtet të ndalin hapat e njëanshëm dhe eskalues të Kurtit”, ka pretenduar ai.
Ai ka shtuar se është e qartë që Kurti dhe anëtari i tij në KQZ, Alban Krasniqi, përndryshe bashkëshorti i Albulena Haxhiut, nuk mund t’ia falin Listës Serbe që nuk votoi për Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit.
“Kjo është bërë për të fituar pikë të lira politike. Ne do të ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore për të siguruar certifikimin e të gjithë kandidatëve tanë”, ka përfunduar Ellek./Paparaci.com
