Pas humbjes nga britanikët në Luftën e Parë të Opiumit, dinastia Qing nënshkroi traktatin në vitin 1842 që dënoi Kinën me më shumë se 100 vjet shtypje nga të huajt dhe kontroll kolonial të politikës tregtare.
Ishte e para nga ato që u njohën si “traktate të pabarabarta”, ku fuqia ushtarake dhe teknologjike e kohës imponoi kushte të njëanshme në përpjekje për të ulur deficitin e saj të madh tregtar.
Në një analizë, revista e njohur “Politico” vlerëson se Evropa veçse ka filluar të vuajë nga poshtërsia e shekullit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Urusla von der Leyen shkoi në resorin Turnberry në Skoci muajin e kaluar për të arritur marrëveshjen e pabalancuar tregtare me Donald Trumpin që nxiti frikën te politikanët evropianë se Evropa tashmë kishte lëshuar nga duart levën që dikur mendonte se e kishte si fuqi botërore e tregtisë.
Kritikët e Von der Leyen kanë thënë se marrëveshja e saj me Trumpin ishte “humbje e pastër politike për BE-në” dhe “kapitullim ideologjik e moral” i saj.
Nëse ajo kishte shpresuar se kjo do ta mbante presidentin e SHBA-së në distancë, një moment i ashpër po e priste. Me bojën që sapo ishte tharë për marrëveshjen tregtare, Trump kërcënoi me tarifa të reja ndaj BE-së për shkak të rregulloreve digjitale që do të godisnin gjigantët e teknologjisë së Amerikës. Nëse BE nuk do të bindej në përputhje me rregullat, SHBA-ja do të ndalonte eksportimin e teknologjive jetësore të mikroçipave, paralajmëroi ai.
Shqetësimi i tij erdhi më pak se një javë pasi Brukseli besoi se kishte fituar një garanci me shkrim nga Uashingtoni se rregullorja digjitale – dhe sovraniteti – ishin të sigurta.
Trump mund ta ushtrojë këtë avantazh shtrëngues sepse – ashtu si imperialistët britanikë të shekullit të 19-të – ai mban kartat ushtarake dhe teknologjike, dhe është i vetëdijshëm se homologu i tij mbetet shumë prapa në të dy sektorët. Ai e di që Evropa nuk dëshiron të përballet me Presidentin rus Vladimir Putin pa mbështetjen ushtarake të SHBA-së dhe nuk mund të përballojë pa teknologjinë amerikane të çipave, kështu që ai mendon se mund të diktojë agjendën tregtare.
Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maroš Šefčovič, nënkuptoi fuqishëm muajin e kaluar se marrëveshja me SHBA-në ishte një pasqyrim i dobësisë strategjike të Evropës dhe nevojës së saj për mbështetjen e SHBA-së. “Nuk ka të bëjë vetëm me… tregtinë: Ka të bëjë me sigurinë, ka të bëjë me Ukrainën, ka të bëjë me paqëndrueshmërinë aktuale gjeopolitike”, shpjegoi ai.
Marrëveshja tregtare është një “funksion i drejtpërdrejtë i dobësisë së Evropës në frontin e sigurisë, se ajo nuk mund të ketë sigurinë e saj ushtarake dhe se nuk arriti të investojë, për 20 vjet, në sigurinë e saj”, tha Thorsten Benner, drejtor në Institutin Global të Politikave Publike në Berlin, i cili gjithashtu vuri në dukje dështimet për të investuar në “forcën teknologjike” dhe për të thelluar tregun e vetëm.
Ashtu si udhëheqja Qing, edhe Evropa i përçmoi shenjat paralajmëruese gjatë shumë viteve.
“Po paguajmë çmimin për faktin se e injoruam thirrjen e zgjimit që morëm gjatë administratës së parë Trump – dhe u kthyem në gjumë. Dhe shpresoj që kjo të mos jetë ajo që po bëjmë tani”, tha Sabine Weyand, drejtoreshë e përgjithshme për tregtinë në Komisionin Evropian, në një panel në Forumin Evropian Alpbach të hënën. Ajo po fliste përpara fjalimit të fundit të Trump mbi rregullat e teknologjisë.
