Qeveria e Sllovenisë konfirmoi sot vendimin për vendosjen e sanksioneve ndaj Millorad Dodikut, presidentit të SNSD-së, partisë që udhëheq me Republikën Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Vendimi nënkupton një ndalim të hyrjes së Dodikut në Slloveni, raportojnë sot mediat boshnjake.
Baza e vendimit është një material i përgatitur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë.
Sipas televizionit N1, Qeveria e Sllovenisë e ka shqyrtuar këtë vendim dy javë më parë, por më pas u urdhërua Ministria e Jashtme që të plotësonte dokumentacionin para vendimit përfundimtar.
Ndër arsyet kryesore për sanksionet, përveç lëvizjeve të hapura separatiste të Dodikut dhe mosrespektimit të vendimeve të institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës, është dyshimi se Dodiku dhe anëtarët e familjes së tij në Slloveni zotërojnë asete të konsiderueshme të fituara me kapital me prejardhje të dyshimtë të parave.
Sipas informacioneve jozyrtare, familja Dodik, nëpërmjet të afërmve dhe personave të lidhur me ta, zotëron të paktën pesë prona në bregdetin slloven, përfshirë një vilë luksoze në Portorozh.
