Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Komunën e Gjilanit, Arbër Ismajli, ka premtuar një trajtim të merituar për artin, kulturën dhe njerëzit që merren me këtë fushë në kryeqendrën e Anamoravës.
Ai është takuar me artisten e shquar të këtij qyteti, Jalldëze Mustafa, së cilës i ka premtuar ndryshime në Komunë sa i përket artit dhe kulturës.
“Kënaqësi dhe nder i veçantë të vizitoj atelienë e artistes së shquar Jalldëze Mustafa, një ndër piktoret më të mira që ka Gjilani dhe mbarë vendi ynë. Punët e saj artistike janë pasuri kulturore për qytetin tonë dhe krenari kombëtare për gjithë Republikën e Kosovës. Në qeverisjen tonë të ardhshme, arti, kultura dhe krijuesit si Jalldëzja do të marrin trajtimin e merituar. Sepse një qytet nuk mund të zhvillohet pa e mbështetur shpirtin e tij krijues. Gjilani i nesërm do të jetë qyteti i artistëve, i piktorëve, i muzikantëve, i shkrimtarëve dhe i të gjithë atyre që me krijimtarinë e tyre shpirtërore e bëjnë jetën tonë më të bukur dhe më të pasur shpirtërisht e intelektualisht. Faleminderit shumë krenarisë sonë, Jalldëze Mustafa!”, thuhet në postimin e tij.
