Të fundit

Vjosa Osmani e poshtëruar në Amerikë

Shkruan: Besnik Karaxha

Vizita e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kaloi pothuajse pa asnjë rezultat të prekshëm. Për një shtet të vogël e të brishtë si Kosova, ku lidhja me SHBA-në është konsideruar gjithmonë gur themeli i mbijetesës politike dhe diplomatike, ky është një zhvillim shqetësues.

Në vend që vizita të kthehej në një moment afirmimi dhe forcimi të miqësisë strategjike me partnerin më të madh ndërkombëtar, ajo përfundoi si një udhëtim protokollar, pa asnjë takim të nivelit të lartë dhe pa asnjë mesazh që do të mund të siguronte qytetarët për të ardhmen e raporteve Kosovë–SHBA.

Ky boshllëk diplomatik nuk është një incident i rastësishëm. Përkundrazi, ai është tregues i një krize më të thellë në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Washingtonit. Që nga ardhja në pushtet e Albin Kurtit, marrëdhëniet me SHBA-në kanë hyrë në spiralen më të rrezikshme të ftohjes. Shumë vendime të njëanshme, retorika populiste dhe refuzimi për të koordinuar politikat e brendshme dhe të jashtme me aleatët kanë krijuar hendekun më të madh që ka njohur Kosova që nga shpallja e pavarësisë.

Në këtë situatë, presidentja Osmani kishte mundësinë dhe përgjegjësinë historike për të luajtur rolin e balancueses – për të qenë ura që do të lidhte Prishtinën me Washingtonin dhe për të rikthyer besimin e humbur. Por realiteti dëshmoi të kundërtën. Ajo u bë pjesë e një kursi të mbyllur, duke mos dalë kurrë hapur kundër politikave të dështuara të ekzekutivit. Heshtja e saj dhe mungesa e guximit politik për t’u përballur me qeverinë vetëm sa e kanë përshpejtuar degradimin e raporteve me SHBA-në.

Ironia e hidhur është se, ndërkohë që Vjosa Osmani nuk arriti të ketë asnjë takim të nivelit të lartë me administratën amerikane, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zhvilloi takime të rëndësishme me senatorë dhe përfaqësues kyç të politikës së jashtme amerikane, si Marco Rubio e zyrtarë të tjerë të lartë. Ky kontrast është i dhimbshëm: Serbia, vendi që sfidon hapur interesat amerikane në rajon, po arrin të ketë qasje më të drejtpërdrejtë te vendimmarrësit amerikanë sesa Kosova, e cila prej dekadash ka investuar gjithçka në këtë aleancë.

Kjo nuk është më çështje e një vizite të dështuar. Është pasqyra e realitetit të hidhur të politikës së jashtme të Kosovës, e cila është katandisur në nivelin më të ulët që nga pavarësia. Për faj të udhëheqësve aktualë, Kosova po humb terren jo vetëm ndaj Serbisë, por edhe ndaj vetvetes – duke sakrifikuar besimin e një aleati jetik.

Prandaj pyetja që ngrihet është e qartë dhe e pashmangshme: a po jetojmë momentin më të ulët të marrëdhënieve Kosovë–SHBA? Nëse po, atëherë përgjegjësia bie mbi ata që dështuan të kuptojnë se miqësia me Amerikën nuk është luks politik, por është oksigjeni i vetë shtetit të Kosovës.

Video nga Paradoks

VV SHOW - A ma shumë ka gjasa që LDK të bëjë kualicion me Vetvendosjen, apo të rrëzohet Abdixhiku

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci