Të fundit

Në Amerikë kundër Amerikës

Nga Amerika Albin Kurti ka folur kundër Amerikës dhe përpjekjeve të saj për ta hequr Serbinë nga ndikimi rus. Ka thënë se këto nuk janë probleme të tija, por harroi se në vitet e fundit ishte vetë ai që ankohej se si Serbia nuk ishte demokraci dhe e kapur tërësisht nga Rusia. Deklarata e tij në SHBA ka shkaktuar “tërmet” edhe në Kosovë dhe ka nxitur shqetësime të shumta.

Ambasada amerikane në Prishtinë si rrallëherë foli me emër e mbiemër për fajtorin e pezullimit të dialogut strategjik: Albin Kurti. Jo më larg se dy javë më parë mesazhi ishte i qartë se vendimi për pezullim erdhi për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e qeverisë në detyrë që rrisin tensionet dhe destabilitetin.

Ambasada amerikane deklaroi se “fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”.

Por të dielën, Kurti thelloi edhe më shumë përplasjen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shtëpisë së Demokracisë.

Fiks në tokën amerikane, Kurti para disa studentëve deklaroi se nuk është problemi i tij që SHBA-ja po vlerëson se Kosova nuk po e ndihmon që ta shkëpusë Serbinë nga Federata Ruse. Një shtet fqinj i Kosovës.

“Disa politikanë dhe diplomatë në ShBA vlerësojnë se ne nuk po u ndihmojmë ShBA-ve ta shkëpusin Serbinë nga Federata Ruse, por sinqerisht kjo s’duhet të jetë problemi im. Më falni për sinqeritetin. Ashtu është. Pra unë përfaqësoj interesat e Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar Kurti të dielën.

Këtë e ka thënë dikush që në vitet e fundit, në secilën mundësi që i është dhënë për deklarime, është ankuar se si Serbia ka prirje autoritare dhe se i duhet një qeveri demokratike.

I menjëhershëm dhe i ashpër ka qenë reagimi i ish-shefit të Kurtit në Vetëvendosje, Visar Ymeri. Në një postim në rrjetin social Facebook, Ymeri ka deklaruar se një Serbi e lidhur ngushtë me Rusinë është Serbi e fuqizuar ushtarakisht, autoritare përbrenda dhe e rrezikshme për secilin shtet në rajon.

Ai ka pyetur nëse Kurti është duke e ditur se çfarë po flet, apo ka qëndrime të atypëratyshme.

“Si nuk qenka problem yni edhe largimi i Serbisë nga Rusia? A nuk është ndikimi rus në Evropë dhe rajon rrezikim i përgjithshëm i sigurisë, demokracisë e progresit? Një Serbi e lidhur ngushtë me Rusinë është një Serbi e fuqizuar ushtarakisht, autoritare përsëbrendshmi dhe e rrezikshme për secilin në rajon. Madje edhe e nxitur për tensionim të vazhdueshëm në Bosnje e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni të Veriut. Për Albin Kurtin këto nuk qenkan problem i tij. Si bëhet që siguria e Kosovës nuk qenka problem i Albin Kurtit?”, ka shkruar Ymeri.

Ai ka shtuar se sipas deklaratës që ka thënë në SHBA, problem i Kurtit mund të jetë ndikimi amerikan në Kosovë.

“Në anën tjetër u paska thënë studentëve që ShBA kundërshton vendosjen e rendit dhe të ligjit në veri dhe për këtë kemi mospajtime (të cilat realisht janë sanksione nga ShBA ndaj Kurtit). Problemi i dytë ky: Kurti po thotë që ShBA e përkrahin krimin në veri meqë e sanksionojnë Kosovën kur e lufton atë.  Sëkëndejmi nuk qenka problem (i Kurtit) ndikimi rus në Serbi, por ndikimi amerikan në Kosovë”, ka thënë Ymeri.

“A është duke e ditur Kurti se çka po flet? Apo thjeshtë është freestyling (çka t’i bjen në mend qatypërqaty). Po shpresoj që përnjëmend nuk po e din. Po shpresoj që këto qëndrime janë të rastësishme”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës Vlora Çitaku, e ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, se po i rrezikon skajshmërisht raportet me aleaten kryesore të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Çitaku tha se Kurti po përpiqet të manipulojë opinionin publik për një grusht votash.

“Nga një ekskursion në SHBA, del e bën deklarata si analist mediokër dhe i papërgjegjshëm i politikës së jashtme amerikane, duke dëmtuar imazhin dhe interesin shtetëror të Kosovës”, tha ajo.

“S’lodhna fort për ju”

Ardian Gjini, nënkryetar i AAK-së, të hënën në Rubikon të Klan Kosovës ka thënë se deklarata e Kurtit në SHBA është problematike për Kosovën dhe zero interesim i tij se çfarë mund t’i sjellë Kosovës një deklaratë e tillë si kryeministër në detyrë.

“Cili është përkthimi për cilindo zyrtar të Amerikës i deklaratës së Kurtit? Qe po ju tregoj unë çfarë kanë me mendu ata që ky po u thotë. Fillimisht po u thotë: ‘I don’t give a damn for you’, [s’lodhna fort për ju, sipas Gjinit]. E dyta çka po ju thotë është: ‘Unë i kam veç punët e mia e që janë personalisht të miat’. E treta është duke u thënë: ‘Erdha në Amerikë, po a bon mos me mu përzi’. Ka shumë elemente këtu që munden me u deshifru e që mund të jenë problematike për ne”, ka thënë Gjini të hënën në Rubikon.

Gjini ka thënë se Kurti do të duhej të pyetej nëse po i bën dëm Kosovës nëse je kaq fyes vazhdimisht ndaj SHBA-së dhe se a mund ta ruajë Kosova sovranitetin e vet pa mbështetjen e SHBA-së?

“Qysh po don me i thanë SHBA-së që po më pengon në zbatim të rendit dhe ligjit kur SHBA-ja përpos luftës e të tjerave, kanë investuar më së shumti në sistem të Drejtësisë dhe pikërisht narracioni i Ambasadës amerikane ndaj nesh është sundimi i ligjit”, ka thënë Gjini.

Gjini ka thënë se është i shqetësuar se populli i Kosovës ka nisur të testohet nëse shumica dërrmuese e tij mendon sikur Kurti.

“Nëse përgjigja ka me qenë po, unë druaj që kemi me hy në një rrugë, të cilës unë nuk ia di fundin, por absolutisht e di që nuk është e mirë”, ka thënë Gjini.

Kryetari aktual i Gjakovës ka thënë se një politikan racional do të ishte shprehur i gëzuar nëse SHBA-ja dhe Evropa do të arrinin ta shkëpusnin Serbinë nga Rusia.

“Për shkak se Serbia qetu ka me qenë, është fqinje. Sa të jetë jeta kemi me pasur fqinje. Politikanët racionalë tentojnë që fqinjët të jenë miqësorë. A kish me qenë mirë për Kosovën nëse Serbia kish me qenë pro-perëndimore, pro amerikane, tash edhe këtë kanë me lexu amerikanët”, ka thënë Gjini.

“Nëse nuk lodhesh për Amerikën, duhet me u lodh për vete. Është mision i zorshëm shumë, por nëse arrihet është shumë mirë”, ka thënë Gjini.

Përgënjeshtrimi i Kurtit nga Departamenti amerikan i Shtetit

Të hënën, Departamenti Amerikan i Shtetit ka përgënjeshtruar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, lidhur me arsyet e ndëprerjes së dialogut strategjik me Kosovën.

“Vendimi për të pezulluar dialogun strategjik bazohet tërësisht në veprimet e qeverisë kujdestare të Kosovës. Çdo sugjerim se kjo lidhet me Serbinë ose aktorë të tjerë të jashtëm është i pasaktë dhe një përpjekje për të ikur (shmangur) nga çështjet thelbësore të përfshira”, thuhet në një përgjigje të DASH-it për Nacionale.

Tutje shtohet se këto shqetësime i janë kumtuar vetë kryeministrit në detyrë Albin Kurtit.

“Ne ia kemi shprehur shqetësimet tona drejtpërdrejt Kryeministrit dhe e kemi bërë qëndrimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara plotësisht të qartë. Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë një mik i ngushtë i popullit të Kosovës dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj partneritetit tonë. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara i nxisin partnerët tanë të punojnë në mënyrë konstruktive për të siguruar stabilitet dhe siguri”, thuhet tutje në përgjigjen e DASH-it./Paparaci.com.

 

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci