Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se qyteti po shënon rritje të dukshme në fushën e investimeve dhe të hyrave vetanake krahasuar me vitet e kaluara.
Ai tha se kur e ka marrë drejtimin e komunës, buxheti i dedikuar për investime ishte rreth 3 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar ky fond është mbyllur në 17.4 milionë euro, duke e cilësuar si një rritje gjashtëfish.
“Kur e mora komunën, të hyrat vetanake ishin 2.8 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar e kemi përfunduar me 7.4 milionë. Në total, kjo tregon për një zhvillim të prekshëm. Sot ndihna mirë në Gjakovë, sepse e shoh një vullnet për të bërë diçka më shumë”, deklaroi Gjini.
Gjini gjithashtu foli edhe për jetesën në fshatrat e Gjakovës si dhe ndryshimin e bërë në këto vende gjatë mandatit të tij.
Sipas tij, këto rezultate dëshmojnë se Gjakova po ecën drejt një dinamike të re zhvillimore, duke u mbështetur si në burimet e brendshme ashtu edhe në investimet kapitale.
