Kandidati për asamble të Prishtinës nga radhët e PDK-së, Andi Belegu ka treguar veprimet që do t’i ndërmarrin për kulturën në kryeqytet.
Ai ka thënë se do të ndërtohet Teatri i Prishtinës dhe Objekti i Gërmisë do të shndërrohet në Sallë Koncertesh dhe Galeri të Qytetit.
Postimi i tij:
Kultura është ajo që na mban gjallë si qytet.
Ajo që na lidh me kujtesën, me rrënjët dhe me njëri-tjetrin. Por sot, ajo është më e varfër se kurrë, pa teatër, pa hapësira për artistë, pa vend ku arti të flasë lirshëm.
Ne do ta ndryshojmë këtë!
Objekti i Gërmisë do të shndërrohet në Sallë Koncertesh dhe Galeri të Qytetit, hapësirë e hapur për artistë, muzikantë dhe publik.
Do të ndërtohet Teatri i Prishtinës, shtëpia që i mungon kryeqytetit.
Qendra e re Kulturore për Fëmijë do të jetë vendi ku brezat e rinj mësojnë, krijojnë dhe ëndërrojnë.
Rrjeti i Qendrave të Kulturës në çdo lagje e fshat, që arti të mos jetë privilegj, por pjesë e përditshmërisë sonë.
Grante dinjitoze për artistët e rinj dhe organizatat lokale, që talenti të mos shuhet nga mungesa e mundësive.
Karvani Kulturor i Qytetit do ta çojë artin në çdo lagje e në çdo fshat të Prishtinës.
Mbrojtje dhe restaurim të trashëgimisë sonë kulturore, që kujtesa të mos mbetet në rrënoja.
Harta Kulturore dhe e Trashëgimisë së Qytetit, që secili ta njohë historinë dhe bukurinë e Prishtinës.
Platforma dixhitale për promovimin e kulturës dhe trashëgimisë, që arti i Prishtinës të shfaqet në çdo skenë, kudo.
Kultura është forca që i jep shpirt Prishtinës.
Koha është që ajo të kthehet në zemër të qytetit tonë.
Koha është për Prishtinën!
