Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka marrë pjesë në tubimin elektoral në Lipjan.
Para qytetarëve ai tha se Lipjani është model i qeverisjes së mirë lokale, me tri mandatet e Imri Ahmetit.
“Për tri mandate me radhë, ky qytet i harruar e i lënë pas dore, u shndërrua në një vatër të zhvillimit, të prosperimit, të mirëqenies e përparimit. Për tri mandate me radhë, Lipjani i njerëzve të mbarë e punëtor, u bë shtëpi e qytetarëve të shumtë, që sot jetojnë këtu, punojnë këtu, rrisin familje këtu e do të plaken këtu. Në krye të një transformim të tillë, në krye të një ndryshimi që shënon kohë e epokë, qëndron një njeri, një burrë i punës, një burrë i fjalës, një mik i secilit, në krye të Lipjanit të sotëm qëndron një udhëheqës me vizion – Kryetari jonë, kryetari juaj, Imri Ahmeti”, ka thënë ai.
Tutje ka shtuar se beson në fitoren pa balotazh të Imri Ahmetit, pasi kundërkandidatët e tij i konsideron si turistë.
“Nuk kemi luksin të humbim kohë me balotazhe. Nuk kemi luksin të eksperimentojmë me aventuristë e turistë. Lipjani ka nevojë për stabilitet, për vazhdimësi dhe për punë të përditshme. Dhe këtë punë e garanton vetëm Imri Ahmeti”, tha Abdixhiku.
