Të hënën në Oldenburg të Gjermanisë ka nisur gjykimi ndaj gjashtë personave të akuzuar për trafik ndërkombëtar të drogës.
Siç raporton gazeta e njohur gjermane Bild, në mesin e të akuzuarve janë edhe dy shqiptarë.
Sipas aktakuzës, grupi në fjalë kishte planifikuar realizimin e një operacioni për të nxjerrë 184 kilogramë kokainë nga fundi i anijes braziliane “Tiger South” i cili ishte ankoruar në portin Brake, në marsin e këtij viti.
Të njëjtin në shkurt, ishin takuar në Spanjë dhe Portugali për realizimin e planit të tyre.
E për ta kryer punën, ata përdorën pajisje të sofistikuara zhytjeje të përdorura zakonisht nga ushtria dhe policia, përfshirë ‘rebreather’, skuter nënujorë dhe veshje të avancuara për zhytje.
Tre nga të akuzuarit, njëri prej të cilëve shqiptar, zhytës profesionistë, kishin për detyrë të çmontonin vidat e kutisë detare të anijes për të nxjerrë gjashtë pako me kokainë, me një vlerë deri në 18 milionë euro, shkruajnë edhe mediat shqiptare.
Por, ky plan iu dështoi atyre, gjatë zhytjes në lumin Unterweser, një alarm në anije i detyroi ata të tërhiqeshin.
Në breg i priste policia, e cila sipas gazetës gjermane, kishte marrë informacion nga partnerët ndërkombëtarë dhe kishte ndjekur grupin prej javësh.
Të gjashtë u arrestuan në vend, ndërsa droga u sekuestrua më pas nga autoritetet.
Nëse të pandehurit Romeo-Paul U. (65-vjeç), Dan L. (38-vjeç), Amando B. (41-vjeç), Ionel D. (39-vjeç), Roberto E. (53-vjeç) dhe Oscar M. (38-vjeç ), pranojnë fajësinë, rrezikojnë dënime nga 4 deri në 7 vite burgim.
