Presidenti amerikan Donald Trump tha të mërkurën se do të shqyrtonte mundësinë që Izraeli të rifillojë veprimet ushtarake në Rripin e Gazës, nëse Hamas refuzon të zbatojë marrëveshjen e armëpushimit dhe të dorëzojë të gjithë pengjet, të gjallë e të vdekur.
“Çfarë po ndodh me Hamasin, kjo do të sqarohet shpejt,” tha Trump në një deklaratë për CNN, duke shtuar se “Izraeli do të kthehet sapo ta them unë.”
Komentet e tij erdhën në një moment kur Izraeli e ka akuzuar Hamasin se nuk po përmbush detyrimet e marrëveshjes së armëpushimit, që parashikon kthimin e pengjeve si pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund luftimeve në Gaza.
Autoritetet izraelite kanë paralajmëruar se dërgesat e ndihmës humanitare në territor mund të reduktohen, për shkak të numrit të vogël të trupave të pengjeve të dorëzuar deri më tani. Megjithatë, armëpushimi i brishtë është ende në fuqi.
Sipas pikës 4 të planit të paqes me 20 pika të Trump, të gjithë pengjet duhej të ktheheshin brenda 72 orëve nga pranimi publik i marrëveshjes nga Izraeli. Deri të mërkurën në mëngjes, 20 pengje izraelite të gjalla ishin liruar, ndërsa Hamasi kishte dorëzuar trupat e vetëm katër personave. Burime për CNN thanë se disa trupa të tjerë pritet të kthehen gjatë mbrëmjes.
Trump theksoi se shpëtimi i pengjeve ishte “me rëndësi të madhe”, ndërsa paralajmëroi se Hamasi duhet të çarmatoset ose do të përballet me ndërhyrje ushtarake. “Nëse Hamasi refuzon të çarmatoset, Izraeli do të kthehet në ato rrugë,” tha ai.
Në planin e tij të paqes, Trump parashikon që Gaza të demilitarizohet dhe të vendoset nën mbikëqyrje të pavarur, ndërsa anëtarët e Hamasit që pranojnë bashkëjetesë paqësore do të amnistohen. Ai tha se 59 shtete kanë shprehur mbështetje për marrëveshjen, e nënshkruar në Egjipt, duke e cilësuar këtë si “një moment historik në përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme”.
Trump shtoi se po punon edhe për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës dhe pranoi se konflikti në Lindjen e Mesme mbetet sfida më e vështirë diplomatike. “Njëri ka vazhduar për tre vjet, tjetri tre mijë,” tha ai me ironi.
Në fund të intervistës, presidenti shfrytëzoi rastin të kritikojë mediat amerikane, duke përmendur intervista të fundit në ABC dhe duke shpresuar se “CBS Neës do të jetë më e drejtë” me menaxhimin e ri. CNN njoftoi se i ka kërkuar Trumpit një intervistë kokë më kokë, të cilën ai tha se “po e merr në konsideratë”.
