Gazetari Vehbi Kajtazi ka reaguar ashpër ndaj veprimit të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, i cili ka ushtruar kallëzim penal ndaj disa kolegëve të tij, përfshirë edhe pronarin e UBO-s.
Sipas Kajtazit, ky veprim nuk ka të bëjë me drejtësi, por me fushatën për balotazh.
“Faton Peci ushtroi kallëzim penal kundër disa kolegëve tjerë, përfshirë pronarin e UBO, sepse po i duhet për balotazh. Ai në këtë mënyrë po synon për ti sulmu të tjerët se gjoja kanë qenë kundër fitores sonë, të Albin Kurtit, të LVV-së. Pra, ai po e keqpërdorë këtë lirinë e përgjithshme tonën që garantohet me Kushtetutë”, deklaroi Kajtazi në “VV Show”.
Sipas tij, Peci po përdor kallëzimin penal për të ushqyer militantët dhe për të krijuar përshtypjen se fitorja e tij është penguar përmes një “komploti”.
“Ai po dorëzon kallëzim penal në prokurori për ti ushqy militantat se gjoja neve na u mor fitorja dhe çfarëdo rezultati pas balotazhit ky me dal me konstestu se ka qenë një ndërmarrje e madhe, sipas tyre kriminale, që na e morën fitoren. Pra, ai po përpiqet me mbulu fytyrën e vetë dhe dështimin e vet në këtë proces zgjedhor”, shtoi ai.
Kajtazi madje inkurajoi kolegët që të ngrisin kallëzim penal kundër Pecit për kallëzim të rremë, duke theksuar se “nuk duhet të kalojë pa ndëshkim një poshtërsi e tillë”.
“Sidoqoftë, inkurajoj të tjerët ti bëjnë kallëzim penal Pecit për kallëzim të rrejshëm penal sepse është vepër penale kur dikush të kallëzon penalisht pa pasë asnjë element të veprës penale. Ai nuk duhet me kalu pa ndëshkim sepse nuk duhet me kalu pa ndëshkim poshtërsia e tij, nuk duhet me kalu pa ndëshkim qëllimi i tij i keq për ta mbulu dështimin nëpërmjet akuzës që po i bën të tjerëve. Prej kohësh është duke u tregu që është i ligë, por që është qekaq i ligë…”, tha gazetari.
Kajtazi zbuloi se Peci kishte kërkuar ndihmë prej tij në të kaluarën, kur ndjente se ishte lënë anash nga LDK-ja.
“Ky Faton Peci me dhjetëra herë ka ardhë ka lyp ndihmë te unë për çështje të caktume. Kur ai mendonte që LDK po e diskriminon, nuk po i jep hapësirë, ai ka ardhë te unë për ti ndihmu, e din me kë ka qenë. Pse është bë me Albin Kurtin, nuk mund të bëhet Albin Kurti sepse Kurti e ka vulën për krejt senet. Ai po del një kopje e keqe e tij, madje edhe me ato fjalimet që i mbante “A po fitojm, pa balotazh”. Ka je nis o vëlla, nuk mundesh mu ba Albin Kurti ti, as nuk je Albin Kurti, as nuk përfaqëson Vetëvendosjen. Ti përfaqëson një subjekt politik që nuk je as kryetar, je bashkëkryetar që nuk dihet kush është zoti i shtëpisë aty vetëm sepse iu kanë kacavjerrë Albin Kurtit për shkak të fuqisë politike që e ka dhe ndërkohë nëse e shohin që Kurti po bje, ky është i pari që ka me braktis bashkë me Donikën edhe me krejt këtë strukturën tjetër”, theksoi Kajtazi.
