Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka njoftuar se komuna ka mbetur pa mjete financiare për shkak të zbatimit të marrëveshjes kolektive.
Ai ka shtuar se kjo ka ndikuar që komuna të mos ketë mjete financiare për pagesën e faturave të energjisë elektrike, për çka është ndërprerë edhe ndriçimi publik.
“Ditëve të fundit jemi përballur me shkyçje të ndriçimit publik nga ana e KEDS-it, si pasojë e mungesës së mjeteve për pagesën e faturave të energjisë. Kjo situatë ka ardhur si rezultat i përmbarimit të mjeteve të Komunës për përmbushjen e Kontratës Kolektive, ku vetëm për vitin 2025, Komunës së Vushtrrisë i janë marrë mbi 3.5 milion euro, ose mbi 50% të buxhetit vjetor për investime kapitale”, shkruan ai.
Ndërsa ka njoftuar se Kuvendi Komunal do mbajë seancë të jashtëzakonshme për të miratuar tejkalimin e të hyrave vetanake.
“Ne jemi duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për normalizimin e gjendjes. Për këtë arsye kemi thirrur edhe seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, me qëllim të miratimit të tejkalimit të të hyrave vetanake, në mënyrë që një pjesë e tyre të destinohet për pagesën e faturave të energjisë së ndriçimit publik”, përfundon Idrizi.
