Klubi i Vllaznisë së Shkodrës ka vazhduar të hasë në probleme ligjore me shtëpinë e futbollit botëror (FIFA).
Skuadrës lidere të kategorisë Superiore i është bllokuar merkatoja dhe kjo nuk është hera e parë.
Siç raporton Panorama, Vllaznia e ka të bllokuar merkaton për të tretën herë.
Sipas vendimit të FIFA-s, fillimisht është dhënë një bllokim me tre dritare për rastin e një lojtari me të cilin Vllaznia ka humbur gjyqin te ndërkombëtarët dhe nuk ka paguar në kohë detyrimin ndaj tij.
Ai dënim i parë ka qenë më datë 19 nëntor. Por tashmë FIFA ka publikuar edhe dy dënime të tjera, që mbajnë datën 24 nëntor, ku secili rast përfaqëson një tjetër futbollist që shkodranët nuk kanë paguar, kanë humbur gjyqin e përsëri nuk kanë respektuar afatin për pagesën që i ka caktuar FIFA.
Kësisoj, ato rezultojnë të dënuar trefish nga FIFA, me secilin dënim që nënkupton nga tre dritare të merkatos të bllokuara dhe pa shlyer këto detyrime, nuk do të jetë në gjendje të kryejë transferime.
Duhet kuptuar se kjo ka edhe një kosto shtesë mbi klubin. Pasi për çdo vonesë, paguhet një kamatë ndaj personit të dëmtuar, ashtu si edhe një gjobë përkatëse në FIFA bashkë me shpenzimet e gjyqit.

