Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi ka akuzuar kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqin për mënyrën se si po shtynë përpara miratimin e vendimeve.
Sipas Gjoshit, kryetari i KQZ-së është vënë në shërbim të pushtetit e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Kreshnik Radoniqi është vënë në shërbim të pushtetit dhe Lëvizjes Vetëvendosje duke degraduar integritetin e zgjedhjeve dhe duke u bërë palë në paligjshmëri. Ai nuk po e luan rolin e Kryetarit të KQZ-së, por po i shërben agjendës së Vetëvendosjes dhe me votën e tij po ia përshtat zgjedhjet partisë Vetëvendosje”, shkruan Gjoshi.
Sipas tij, KQZ nuk Meriton të udhëhiqet nga Radoniqi.
Gjoshi sqaron se këtë e mbështetë në faktin që Kreshnik Radoniqi, “sot e ka çuar dorën dhe ka votuar një vendim të paligjshëm dhe antikushtetues”.
Po ashtu, sipas Gjoshit, Radoniqi të martën ka kërkuar të votohet një amandament i buxhetit të KQZ-së, pas miratimit të buxhetit.
“Nuk ka vend normal që amandamentet e një ligji votohen pasi të votohet i gjithë ligji”, shkruan Gjoshi.
Ai shton se të martën në mbledhjen e KQZ-së është kërcënuar nga VV-ja edhe anëtarja nga komuniteti turk.
“Dje, unë e kam përcjellur mbledhjen e KQZ-së dhe jam i shokuar se si në prezencë të tij, është kërcënuar hapur anëtarja e komunitetit turk nga përfaqësuesi i Vetëvendosjes. Asnjë reagim nuk e ka bërë Radoniqi. Ai as nuk është distancuar nga ky kërcënim dhe as nuk ka njoftuar organet shtetërore. Me kërcënime të anëtarëve të KQZ-së dhe me një kryetar që i shërben partisë uzurpatore, zgjedhjet demokratike dhe të lira janë në rrezik”, përfundon Gjoshi.
