Të premten, nisur nga ora 11:00 do të mbahen seancat inauguruese në Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok e Mitrovicë e Veriut ku do të marrin detyrën kryetarët e rinj nga Lista Serbe.
Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se inaugurimi i kryetarëve serbë do të bëhet në përputhje të plotë me ligjet dhe se prezent do të jenë përfaqësues të ministrisë për monitorim.
“MAPL ka krijuar ekipe për monitorimin e seancave inauguruese, të cilat do të jenë të pranishme fizikisht në të gjitha mbledhjet për të siguruar respektimin e të gjitha procedurave kushtetuese dhe ligjore. Në çdo rast kur konstatohet mosrespektim i këtyre procedurave, MAPL do t’i shpallë të paligjshme dhe jo legjitime seancat përkatëse”, ka thënë Krasniqi për KOHËN.
E të premten, në krye të Mitrovicës do të vendoset Milan Radojeviq, në Zveçan Dragisha Miloviq, në Zubin-Potok Milosh Peroviq e Zoran Todiqi në Leposaviq.
Kryetarët shqiptarë morën detyrat në maj të vitit 2023 e në zyrat e tyre u vendosën me asistencën e Policisë së Kosovës.
Kjo çoi në protesta të dhunshme nga komuniteti serb në veri, ku u sulmua KFOR-it, policia e gazetarët.
