Indeksi i çmimeve të pronave të banimit shënon dinamika të rritjes së tregut të patundshmërive në Kosovë.
Të dhënat përgjatë periudhës 2019-2025 pasqyrojnë ngritje çmimesh, ndërkohë që sipas statistikave, ndryshimi mesatar vjetor i çmimeve të banesave kulmoi në vitin 2022, me një rritje prej 4,5%, vit që pason nga 2024 me 4% dhe 2023 me 3.7%, duke reflektuar kërkesë të lartë dhe zgjerim të qëndrueshëm të tregut të banimit.
“Është i një rëndësie të veçantë sepse për herë të parë në Kosovë matet indeksi i çmimeve të pronave banesore në Kosovë i cili do të ndihmoj sidomos politik-bërësit por edhe Institucionet Private jo vetëm ato shtetërore”, ka thënë Avni Kastrati, drejtor ekzekutiv në ASK.
“Ky indeks ka qenë kërkesë e qeverisë në 2023 në bazë të marrëveshjes me Fondin Monetar e cila ka qenë një pikë e veçantë në këtë marrëveshje ka qenë një prej kushteve që të publikohet edhe publikimi i këtij indeksi”, ka thënë Ilir Berisha, drejtor i statistikave në ASK.
“Parametri, është themeluesi, indikatori themelor i shëndetit të ekonomisë. Prej mënyrës se qysh lëviz ky indeks shohim se a kemi rritje ekonomike, shohim se a kemi ngadalësim të ekonomisë edhe mu për këtë arsye është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vlerësimin e përgjithshëm makro ekonomik të situatës në vend”, ka deklaruar Milot Cakaj, guvernator i financave në BQK.
Rritja më e madhe vjetore është shënuar në tremujorin e parë të vitit 2025, me 7,8%,. Indeksi i ri i çmimeve të banimit pritet të shërbejë si mjet orientues për blerësit, ndërtuesit, politikat publike dhe institucionet financiare, duke ofruar një pasqyrë të qartë të lëvizjeve të tregut të pronave në Kosovë për herë të parë në mënyrë të standardizuar dhe të matshme.
