Këshilli Gjyqësor ka reaguar pas arrestimit të gjyqtarit mbikqyrës të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Dega në Graçanicë, Jovica Mitroviq, në aksionin e Policisë e Prokurorisë kundër korrupsionit.
Përmes një komunikate për media, KGJK ka bërë të ditur se rasti është regjistruar zyrtarisht për hetim të mëtejshëm lidhur me përgjegjësinë disiplinore.
“KGjK dhe Gjykata Themelore në Prishtinë si autoritet kompetent, sot kanë pranuar informacion zyrtar lidhur me një rast të hetimit penal, ku dyshohet që përveç të tjerëve është i përfshirë edhe një gjyqtar. Po ashtu KGJK, është njoftuar nga menaxhmenti i Gjykatës Themelore në Prishtinë se rasti është regjistruar zyrtarisht për hetim të mëtejshëm lidhur me përgjegjësinë disiplinore. KGJK ju njofton se të gjitha veprimet do të ndërmerren brenda afateve dhe për aq sa e lejuar mediat dhe publiku do të njoftohen me kohë”, thuhet në njoftimin e tyre.
Mitroviq së bashku me gjashtë të tjerë janë arrestuar mbrëmë nën dyshimet për dallaveret me shpronësimet e tokave.
Ata dyshohet se kanë vepruar si grup kriminal duke shfrytëzuar Gjykatën në Graçanicë, për të përfituar kundërligjshëm shuma të mëdha financiare.
Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli.
