Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lulzim Aliu, ka kritikuar ish-kryeministrin Kurti për mënyrën e qeverisjes në raport me Komunën e Ferizajt.
Aliu ka thënë se Kurti ka harxhuar miliona euro më shumë në projektet e njëjta që ishin nisur nga qeverisjet e tjera duke mos ndarë në kohën e duhur mjetet buxhetore për këtë komunë.
Sipas Aliut, qeverisjes së Kurtit i ka kushtuar 10 milionë euro më shumë përfundimi i spitalit të qytetit në këtë komunë, 5 milionë më shumë një magjistrale, e miliona të tjerë në përfundimin e projekteve të nisur në Ferizaj.
“Nëse do të kishte përfunduar me kohë spitali i Ferizajt do të kishte kushtuar 15 milionë euro, ndërkaq me kontratën e re kushton rreth 26-27 milionë euro. Dallimi është me mbi 10 milionë euro. Magjistralja që është deri në fshatin e vjetër ka qenë 10.5 milionë tash kushton 16 milionë. Rruga në Jezerc 4 milionë euro më shumë. Shtëpia e kulturës 2 milionë euro, vetëm se nuk kanë përfunduar me kohë për shkak se nuk ka ndarë buxhet, janë prishur kontratat dhe kur është tenderuar për të dytën herë çmimet janë ngritur dyfish”, ka thënë Aliu në Debat Plus.
Lulzim Aliu mban numrin 45 në listën e PDK-së për deputet.
