Ka ndërruar jetë politikani kosovar dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci.
Gjatë karrierës së tij politike, Daci ka ushtruar funksionin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, si dhe detyrën e Presidentit në detyrë pas vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova në vitin 2006.
Ai ishte themelues i Lidhjes Demokratike të Dardanisë dhe mbeti aktiv në jetën politike të vendit edhe pas përfundimit të mandatit të tij si kryeparlamentar.
Daci lindi më 1944 në Tërnoc të Bujanocit.
Nexhat Daci ishte kimist, profesor universiteti, akademik. Shkollimin e kreu në vendlindje dhe Leskovc (1960).
Studimet e rregullta për kimi i kreu në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Beogradit (1966), ku mbaron edhe studimet pasuniversitare (1968). Një kurs pasuniversitar e kreu në Liezh, Belgjikë (1970).
Tezën e disertacionit të Doktoratës e mbrojti në Universitetin e Zagrebit (1973). Studimet e pasdoktoratës i vazhdoi në Angli, në Universitetin e Bradfordit (1974). Në vitin 1966 u zgjodh asistent në degën e kimisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, pastaj ligjërues, profesor inordinar dhe në vitin 1984 mori titullin profesor ordinar. Ka bërë shumë udhëtime studimore në vende të ndryshme të botës. Ishte anëtar i disa institucioneve dhe asociacioneve ndërkombëtare, ndër të cilat edhe i Shoqatës Kimistëve Amerikanë (1985), i Akademisë Europiane për Çështje të Mjedisit në Tubingen, në Gjermani dhe Londër (1987).
Në vitin 1994 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 1996 anëtar i rregullt, dhe më pas u bë sekretar i përgjithshëm dhe kryetar i saj (1999–2002). Në vitin 2014 u zgjodh anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve (ALLEA) me seli në Salcburg. Anëtar i përhershëm i komitetit të ALLEAS për projekte shkencore u zgjodh në vitin 2015.
Daci ka qenë aktiv në jetën politike dhe institucionale të Kosovës: në periudhën 2001–2011 u zgjodh deputet i Parlamentit të Kosovës dhe në vitet 2001–2006 ishte kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në vitin 2007 themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë dhe u bë kryetar i saj.
Veprimtaria e tij shkencore përmban punime shkencore të publikuara në revista të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, projekte shkencore, elaborate, kumtesa, tekste universitare etj.
Ishte bartës i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve për veprimtari arsimore dhe shkencore.
