Futbollisti i njohur me origjinë shqiptare, Granit Xhaka ka folur rreth çështjes së zgjedhjes së Kombëtares së Zvicrës për të cilën ishte akuzuar shumë herë.
Xhaka dhe futbollistët tjerë shqiptarë ishin akuzuar se përse zgjodhën kombëtaret tjera mbi Shqipërinë, ndërsa Xhaka i dha përgjigje kësaj pyetje pas shumë vitesh.
Në një video live në “Tik-Tok”, Xhaka është përgjigjur në këtë pyetje.
29-vjeçari thotë se asnjëherë nuk mori ftesë nga Federata Shqiptare e Futbollit.
“Kjo pyetje që nuk ka marrë përgjigjje si duhet. Do të flasë për këtë temë dhe do ta mbyllë këtë temë. Ishim shumë të rinjë, kur babai im na ofroi te Shqipëria, por nuk kishte interesim aso kohe”, ka deklaruar fillimisht Granit Xhaka,
Sipas tij, i vetmi njeri që e ftoi te kuqezinjtë ishte kapiteni legjendar, Lorik Cana.
“I vetmi njeri që më ftoi te Shqipëria ishte Lorik Cana, nuk ia harroj kurrë. Më telefonoi edhe më pyeti se si ishte situata, por nga FSHF-ja nuk kishte asnjë telefonatë apo takim”, tregoi ai, duke vazhduar:
“Kjo ishte ana e Shqipërisë. Nga ana e Zvicrës, isha i ri, nuk kisha kohë të mendoja. Dhe kur të ulet Otmar Hitzfeld, trajneri legjendar, i cili më tha se më donte gjithsesi te Zvicra, për mua ishte gjë e madhe”.
Për fund, ai thotë se “ka gjak shqiptari” dhe nuk është asnjëherë kundër Shqipërisë.
“Por, kjo nuk nënkupton se jam kundër Shqipërisë. Jam shqiptar, kam gjak shqiptari”, përfundoi futbollisti i Arsenalit.
