Kompania Rajonale e Ujësjellësit, Hidroregjioni Jugor ka njoftuar se në burimet që e furnizojnë qytetin e Prizrenit me ujë të pijshëm ka turbullira.
Për këtë, kompania ka kërkuar nga qytetarët të bëjnë rezerva të ujit, për shkak se mund të ketë ndërprerje të furnizimit.
“Për këtë arsye, ju bëjmë apel që të bëni rezervim të ujit të pijshëm, pasi në raste të caktuara mund të jemi të detyruar të bëjmë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë, me qëllim që të ruajmë sigurinë dhe cilësinë e tij për konsum. Ekipet teknike janë duke monitoruar gjendjen në mënyrë të vazhdueshme dhe po punojnë për stabilizimin e burimeve dhe normalizimin e situatës sa më shpejt që të jetë e mundur”, njofton Hidroregjioni Jugor.
Apeli i kompanisë për qytetarët:
Të mos e përdorni ujin për pije deri në njoftimin e radhës
Të rezervoni sasi të mjaftueshme uji për nevoja bazike familjare, sepse do të ketë ndërprerje herë pas here.
Të prisni njoftimet tona të radhës për informacione shtesë.
